E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështimi i privatizimit Albpetrol, prokuroria nis hetimet

albpetrolTiranë- Prokuroria e Tiranës nis hetimet për dështimin e privatizimit të Albpetrolit dhe mospagesës se garancisë bankare ndaj shtetit shqiptar nga kompania e deklaruar fituese Vetro Energy, për plotë 85 milionë euro. Sipas burimeve nga organi i akuzës, verifikimi ka nisur për disa vepra penale, që nga mashtrimi, e deri te akuzat e shpërdorimit të detyrës nga zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Po verifikohen të gjitha procedurat e ndjekura nga kompania konsulente e këtij tenderimi, amerikania Patton Bogs dhe shoqëria e shpallur fituese Vetro Energy, e përfaqësuar nga Rezart Taçi. Organi i akuzës po verifikon veprimet e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pasi këta punonjës, përveçse kanë pranuar dokumentacionet e kompanisë që ka marr pjesë në tender, kanë bërë edhe shpalljen e fituesit, konkretisht të kompanisë Vetro Energy, më datë 3 tetor.
Dyshimet
Dyshohet që kompania e shpallur fituese ka mashtruar me garancinë bankare, e favorizuar këtu edhe nga kompania konsulente Patton Bogs, e cila kishte për detyrë konfirmimin e garancisë bankare. Banka amerikane që ishte garante e parave të kompanisë Vetro Energy, duhet të kalonte në llogarinë e shtetit shqiptar, 10 për qind të vlerës së tenderit, ose 85 milionë euro të të gjithë ofertës që ishte 850 milionë euro dhe u deklarua në atë kohë si një histori suksesi e privatizimeve të sektorëve strategjikë. Edhe pse kanë kaluar 6 muaj nga dështimi zyrtar, kjo shumë nuk është derdhur ende, çka i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm financiar dhe dëmtim të imazhit. Për këtë shkak organi i akuzës nisi hetimet në mënyrë zyrtare, edhe pas denoncimeve publike të bëra nga opozita. Katër muaj më parë ishte deputeti socialist Erjon Braçe, që hodhi dyshime për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera, apo ankande publike. Lajmi u konfirmua dje nga burime të Njësisë Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar pranë kësaj Prokurorie, e cila ka dyshime të forta se garancia 10 për qind, e vendosur në tender nga konsorciumi Vetro Energy, mund të ketë qenë fiktive.

Hetimet ndaj qeverisë dhe Taçit
Prokurorët bëjnë të ditur paraprakisht, se pavarësisht tejkalimit të afateve ligjore dhe shpalljes së tenderit si të dështuar, kompania nuk ka derdhur për llogari të qeverisë garancinë e detyrueshme ligjore prej 85 milionë euro. Në atë kohë Qeveria shqiptare së bashku me Patton Boggs, deklaruan se garancia ishte verifikuar si e rregullt dhe në përputhje me kërkesat ligjore. Por pasi tenderi dështoi dhe konsorciumi i biznesmenit Rezart Taçi nuk pagoi shumën prej 850 milionë euro, Qeveria nisi procedurat për të ekzekutuar garancinë dhjetë për qind. Por deri tani garancia nuk ka mbërritur në arkën e Qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›