E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet në rrugë elektricisti i gjymtuar

U godit nga tensioni në shtyllë, por në vend ta dëmshpërblenin, e pushuan nga puna

Elektricisti i Komunës së Dhivrit, Dhimitër Bërxulla, ka mbetur invalid përfundimisht. Muaj më parë, në fillim të këtij viti, ai la në spitalin e Janinës njërën dorë, ndërkohë që edhe tjetrën tregon se e ka “të stisur” me copëra mishi nga pjesë të tjera të trupit të vet dhe ende gropa-gropa e me gjurmë gangrenizimi. E gjitha kjo iu shkaktua në dhjetorin e vitit të kaluar, kur ai u godit nga tensioni në majë shtyllës, duke riparuar një defekt në fshatin Dhivër, në komunën më të thellë të Sarandës.
“Hipa në shtyllë për të rregulluar defektin dhe desh u përvëlova i gjallë nga tensioni i lartë. Kam qëndruar një orë varur në shtyllë, i lidhur me rripin e mesit dhe pa ndjenja”, kujton elektricisti Dhimitër Bërxulla orën e tmerrit.

Pas një ore ai thotë se i sollën një shkallë hekuri dhe e zbritën nga shtylla. Papritur e padashur thotë se i lëshuan tensionin e lartë dhe do të ishte karbonizuar i tëri, nëse nuk do të kishte qenë fizik i fuqishëm dhe nuk do të kishte vetëdijen për të marrë masat e veta në ato minuta të luftës me vdekjen. “Kafshova fort gjuhën me dhëmbë e dhëmballë, sa e bëra plagë, që të mos më kalonte poshtë dhe vdekja do të ishte e sigurt”, kujton elektricisti. Ai tregon se ndenji për gati një orë ashtu i mbërthyer në shtyllë, ndërkohë që në trup i kalonte rryma e tensionit të lartë.

Historia e aksidentimit në punë të elektricistit Dhimitër Bërxulla nuk do të kishte interes për t’u trajtuar përmes këtij shkrimi, nëse atë nuk do ta shoqëronte një sjellje e çuditshme dhe absurde e punëdhënësve të tij. Ai tregon se ishte akoma në spitalin e Janinës, duke marrë ndihmën mjekësore që e bëri njeri nga e para, kur njerëzit i sollën një zarf që vinte nga filiali i OSSH-së në Sarandë. “Më erdhi mirë, pasi mendova që drejtuesve të mi u kishte vajtur në mendje të më jepnin fuqi e kurajë me ndonjë fjalë të mirë, pasi u aksidentova në punë”. çudia ishte se në vend të fjalëve falënderuese e kurajuese, brenda atij zarfi ishte fleta e pushimit nga puna. “Për të fshehur gafën dhe përgjegjësinë që më lëshuan tension të lartë duke qenë në majë të shtyllës - shprehet Bërxulla- në këtë shkresë falsifikohej e vërteta, duke e paraqitur sikur karbonizimi im kishte ardhur nga një shkarkim rrufeje dhe jo nga lëshimi aksidental i tensionit të lartë”.

Elektricisti që thotë se këtë që jeton e ka jetën e dytë, endet tani sa në spitalin e Sarandës në degën e sigurimeve shoqërore, pasi është duke bërë dokumentet për të përfituar një pension invaliditeti, që të mund të jetojë, të ushqehet dhe të mjekohet. Ai e fal edhe sjelljen aspak njerëzore, me atë historinë e zarfit në spitalin e Janinës dhe shpëtimin tjetër të tij e pret nga ndërmarrja e elektrikut, ku ka një jetë që shërben si elektricist në zonë. “Kërkoj nga ndërmarrja të gjitha të drejtat e mia, pasi unë, siç e shihni dhe vetë, kam mbetur sakat. Kërkoj dëmshpërblimin që më takon, ose një punë të lehtë, për shembull si faturist”. Pastaj, si për të treguar që kuraja dhe besimi nuk i kanë mbaruar, përsërit se “Rëndësi ka që jam gjallë. Se si shpëtova, një Zot e di...”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›