E Diel, 1 Nëntor 2026

Rindizet lufta qeveri-Bankë Botërore

Përplasje për rritjen ekonomike. Gill: Parashikimet fiskale, jo realiste. Duhet FMN-ja

Ka mjaftuar një konferencë e Bankës Botërore me pjesëmarrjen e Kryeministrit dhe ministrit të Financave, që të rikthejë debatin e madh mbi rritjen ekonomike. Si asnjëherë tjetër, në katër vitet e fundit, zyrtarët e BB-së janë treguar të ashpër në qëndrimet e tyre ndaj parashikimeve të ekonomisë shqiptare, duke thënë hapur se vendi ynë do ta ketë të vështirë rikthimin në vitet kur Prodhimi i Brendshëm Bruto rritej mesatarisht me 6-7 për qind. Kryeekonomisti i BB-së, Indermit Gill, tha se “rritja ekonomike parashikohet që nuk do të arrijë të kthehet në nivelet e saj të parakrizës”. Më herët ministri i Financave, Ridvan Bode, u kujtoi ekspertëve të BB-së, se parashikimet e tyre, si në rastin e vitit 2004, nuk kishin qenë të sakta, pasi realiteti tregoi të kundërtën, me rritje deri me 8 për qind. Të tjerë ekonomistë të huaj deklaronin se tremujori i parë i 2010-s kishte pasuar fundin e 2009-s, që rezultoi me recension. Parashikimet janë për një rritje të paktën 1 për qind, që gjithsesi qëndron larg zhvillimeve të 2009-s dhe shenja alarmi për ekonominë tonë. Debati në distancë shkoi deri në nivele personale, ku diskutantë të ndryshëm, pro dhe kundër qeverisë, vinin në dyshim shifrat e raportit të BB-së. Diskutimet e zhvilluara dje ishin në kuadër të konferencës “Ruajtja e rritjes në një mjedis sfidues në Shqipëri”.

Debati FMN

Me debatin e ndezur për rritjen ekonomike, rikthehet edhe çështja e “marrëveshjes me FMN”. Sipas ekonomistëve të Bankës Botërore, qeveria shqiptare duhet të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që të rikthehet besimi tek investitorët dhe besueshmëria te buxhetimi afatmesëm. “Mosprezenca e një programi me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe përkeqësimet fiskale të kohëve të fundit janë disa nga sfidat e besueshmërisë dhe mund të rrisin kostot e huamarrjes”, tha Gill. Deklarata u bazua mbi parashikimet e fundit të qeverisë mbi të ardhurat fiskale, që sipas Gill nuk janë realiste. Sipas tij, qeveria duhet t’i mbajë shpenzimet në infrastrukturë dhe paga nën kontroll, në veçanti pas periudhës zgjedhore dhe në kontekstin e pasigurisë së rritjes ekonomike në të ardhmen. Një tjetër ekonomist, Roland Clark, paraqiti disa grafikë të zhvillimit ekonomik në disa sektorë, duke e lidhur me papunësinë dhe me rastin e bujqësisë. “Po të shihni bujqësinë, kemi një nivel papunësie që vjen në rritje, ose më saktë, një zhvendosje e kësaj popullate drejt e në qytet, duke ndikuar pozitivisht në rritjen ekonomike. Por kjo situatë nuk do të zgjasë shumë”, tha Clark. Pas prezantimit, eksperti Artan Hoxha kërkoi më shumë sqarime rreth këtij rezultati, që dukej disi abstrakt. Diskutimet pas tyre shkuan deri te verifikimi i shifrave. Me vijimin e prezantimeve dhe paraqitjes akoma e më të zymtë të ekonomisë shqiptare, zyrtarë të qeverisë thoshin nën zë se “Banka Botërore po largon investitorët e huaj nga Shqipëria”.

Ekspertë e studiues nga Shqipëria e Banka Botërore prezantuan dhe diskutuan mbi raportet dhe studimet e fundit rajonale dhe ato specifike mbi Shqipërinë mbi tema që përfshijnë financimin e rritjes në Europën e postkrizës, maksimizimin e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, rritjen e produktivitetit, aftësitë, risitë dhe teknologjinë, sektori energjetik në shërbim të rritjes, marrëdhënien mes rritjes dhe qeverisjes, sigurimi i një rritjeje gjithëpërfshirëse etj.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›