Hidi: “Dueli im i përjetshëm me Beqajn”Portieri i Alkit në Qipro: “Duron e Haxhin i kam mundur deri tani” Isli Hidi do te mbroje porten e perfaqesueses ne ndeshjen miqesore nderkombetare kunder Azerbajxhanit, me 19 nentor

INTERVISTA - “Jam duke kaluar një moment shumë të mirë, por në Qipro, lojtarët shqiptarë kanë emër shumë të mirë”. Deklarata është e Isli Hidit, ish-portierit të Tiranës, i cili tani mbron portën e Alki Larnakës. Midis tij dhe Arjan Beqajt, përveç një “sfide” të përhershme në ekipin Kombëtar shqiptar dhe një garë në distancë në kampionatin qipriot.
Hidi, mediat qipriote janë shprehur me tone entuziaste në lidhje me paraqitjen tënde në ndeshjet e fundit në kampionatin qipriot, duke ju konsideruar edhe si zbulimin e këtij kampionati, të paktën porsa i përket portierëve. Sa të vlerësuar e ndjen veten?
Është vështirë të flasësh për veten, por të them të drejtën të vjen mirë të vlerësohesh. Fillimi im nuk ka qenë i lehtë në Qipro, edhe pse vija pas një sezoni të mirë të zhvilluar në Ukrainë me Krivbasin. Por, tani them se jam ambientuar plotësisht dhe jam shndërruar në një titullar të padiskutueshëm jo vetmë në ekip, por disa herë jam vlerësuar edhe si lojtari i ndeshjes. Ekipi im (Alki) ka pasur rritje nga java në javë. E kam thënë që në fillim që është një ekip i ri dhe ka dashur kohën e vet. Objektivi i skuadrës sonë është të jemi midis vendeve të mesit e të mos kemi probleme gjatë kampionati. Me vendin e katërt apo i pestë që ka dhe pretendime klubi nuk është se kemi diferencë të madhe. Në fillim të kampionatit kemi bërë ndeshje të dobëta, por tani është vështirë të ma mundësh.
Në kampionatin qipriot ka disa derbi shqiptarësh, përveç ku me Apoelin e Haxhit janë ato edhe me Klodian Duron te Omonia Nikosia e Arjan Beqajn te Anorthosis, me ekipin e të cilit do të përballeni ditën e diel. Sa emocionuese kanë qenë për ty takimet?
Kuptohet që kanë emocionet të veçanta për mua. Alki im është një skuadër me modeste se ato të Beqajt, Duros apo Haxhit. Por një gjë është e rëndësishme, dy takimet e para me takimet e tyre i kam fituar unë. Duro nuk arriti të më shënojë gol, ndërsa Haxhi nuk luajti. Përsa i përket derbit me Beqajn, ashtu si ai me Haxhin të paketën në fushë nuk do të ketë. Arjani është dëmtuar. Ka pësuar një lloj tërheqje dhe nuk jam i sigurt nëse do të jetë i gatshëm për ndeshjen Anorthosis- Alki. Më vjen keq, që Arjani nuk do të jetë, pasi mbetet gjithmonë portieri më i mirë në Qipro. Por, në një ndeshje miqësore midis dy ekipeve kemi dalë në barazim, duke mos pësuar asnjëri gol. Falë edhe paraqitjeve të shkëlqyera të Beqajt me Anorthosis më Ligën e Kampioneve, Qipro është duke bërë bujë në Europë.
Në takimin e fundit Alki Larnaka juaj mundi edhe Apoelin e Altin Haxhit. Një fitore, ku një pjesë e meritës është edhe e jotja padyshim, duke mos lejuar pësimi e golit. Si e përjetuat atë takim, kur si trajneri i portierëve i ekipit kundërshtar ishte Foto Strakosha?
Fituam 1-0 në atë ndeshje. Altini nuk luajti në atë takim. Me Foton jo vetëm që kam folur e jam takuar shpesh, por edhe pas ndeshjes u ulëm e pimë një kafe së bashku. Foto mbetet një mik i mirë dhe një njëri me zemër gjithmonë të madhe. Më ka ndihmuar shumë gjithmonë jo vetëm në Qipro, por dhe kur kemi qenë në Kombëtare së bashku si portierë, por dhe kur ka qenë ndihmës i Brigelit e Bariçit në përfaqësuese.
Në ekipin tuaj të Alkit luan edhe Blerim Rrustemi, i cili në kohën e Oto Bariçit u grumbullua dhe luajti në disa ndeshje me Kombëtaren. Si po paraqitet ai?
Blerimi po tregon ndeshje pas ndeshjeje së është një lojtar i nevojshëm për ekipin. Ka ardhur në një formë shumë të mirë. Jo vetëm trajneri e drejtuesit e klubit, por dhe mediat e këtushme i kanë vlerësuar pozitivisht paraqitjet e tij.
Për herë të fundit e keni mbrojtur portën në ndeshjen miqësore kundër Polonisë (humbëm 0-1), ndërkohë që tani pas dëmtimit të Beqajt e mosardhjes së tij pritet të jeni titullar edhe në miqësoren kundër Azerbajxhanit. Si e vlerësoni takimin?
Natyrisht, që është një test i mirë përpara ndeshjes me Maltën. Çdo lojtar dëshiron të luajë sa më shumë dhe përsa i përket portierëve edhe unë dua të kem minutat e mia. Ajo që është më e rëndësishme është fakti që jam pjesë e Kombëtares dhe trajneri aktual ka besim te mua, përderisa edhe më ka thirrur. Nuk e kam parë kurrë praninë time si një luftë midis meje apo portierëve t tjerë, pasi për faktin se kush do të luajë në portë vendos gjithmonë trajneri. E rëndësishme për mua është të jap më të mirën time nesh do të luaj kundër Azerbajxhanit, pastaj po nuk pësova gol, do të jetë akoma më mirë.
E Premte, 14 Nentor 2008