"Gardianët" shqiptarë të ishullit të AfërditësArjan Beqaj luan prej tre sezonesh me Anothosis, Isli Hidi me Alkin. Foto Strakosha punon si trajner portierësh te Apoel. Dhjetë futbollistë shqiptarë kanë veshur fanellat e skuadrave qipriote

SPECIALE - Qipro në duart e gardianëve shqiptarë. Nga më të mirët që luajnë në Superligën e “Ishullit të Afërditës”. Kosovari Arjan Beqaj, prej tre sezonesh ruan portën e Anorthosis (kampione në fuqi), ndërsa tiranasi Isli Hidi, nga fillimi i sezonit 2008-2009 atë të modestëve të Alki Larnaka. Por nëse dy të parët, futbollistë aktualë të Kombëtares shqiptare janë ende në aktivitet, një tjetër legjendë e katërkëndëshit kuqezi, Foto Strakosha - futbollisti shqiptar me më shumë ndeshje ndërkombëtare, 73 – transmeton përvojën më se 20 vjeçare të tij te Apoel Nikosia, skuadër më të cilën luan edhe Altin Haxhi.
Dhjetë lojtarë
Gjatë 18 viteve të fundit në Qipro janë aktivizuar gjithsej dhjetë lojtarë, përfshirë edhe Rudi Vatën, Sokol Kushtën, Arjan Xhumbën, Ervin Fakajn e Arjan Shetën, ndërkohë që pesë të tjerët luajnë ende: Arjan Beqaj, Klodian Duro, Altin Haxhi, Isli Hidi e Blerim Rrustemi. Kampionati qipriot është bërë gjithmonë e më i vështirë, skuadrat kanë një mbështetje gjithmonë e më të fuqishme financiare kanë blerë lojtarë cilësorë dhe kompeticioni dhuron më shumë surpriza.
Kampioni Beqaj
Arjan Beqaj, portieri aktual i Kombëtares vlerësohet si një nga portierët më të mira që janë aktivizuar ndonjëherë në kampionatin qipriot. Kosovari mbrojti portën e Partizanit, përpara se të mbronte për 6 sezone kuadratin e Ofit të Kretës (nga sezoni 1997-1998 deri 2002-2003) dhe 3 sezone atë Ionikosit (2003-2004 deri më 2005-2006). Kosovari 32-vjeçar luan prej tre sezonesh luan në Qipro me Anorthosis Famagusta, ku vendosi edhe një rekord personal me 540 minuta pa pësuar gol. Beqaj është i parë portier shqiptar që ka luajtur në Ligën e Kampioneve. Madje, Anorthosisis i tij pas katër ndeshjeve (5 pikë) i ka të gjitha mundësitë të kalojë midis 16 ekipeve më të mira të Europës.
Zbulimi “Hidi”
Kur 23-herë kampionia e Shqipërisë, Tirana, gjatë sezonit të kaluar “humbi” portieri Isli Hidi, zhvilloi kampionatin më problematik gjatë 17 viteve të fundit. 27-vjeçari pas 9 sezoneve me Tiranën dhe një sezoni i huazuar me Bylisin në Shqipëri, e një sezoni e skuadrës ukrainase Krivbas Kirog (në atë kohë luanin me këtë skuadër edhe Ndreka, Bulku e Bylykbashi), tashmë është pjesë e skuadrës modeste qipriote, Alki Larnaka. Nga mediat qipriote shtatlarti Hidi vlerësohet si një nga zbulimet e sezonit, falë një përformancë në vazhdimësi gjithmonë në rritje.
“Pedagogu” Strakosha
Dorezat zyrtarisht i ka varur në gozhdë, por ish-kapiteni i kombëtares shqiptare portieri Foto Strakosha, nuk është shkëputur asnjë ditë nga futbolli. Rekordmeni i Kombëtares shqiptare përsa përket numrit të ndeshjeve (73) është një nga emrat më të famshëm shqiptare në katërkëndëshin e një skuadre greke ku militoi që nga sezoni 1991-1992 e për ta mbyllur në sezonin 2004-2005: Janina, Ethnikos Asteras, Olimpiakos, Panionos, Ionikos dhe Kalithea janë fanellat më të cilat ka luajtur ish-lojtari i Dinamos, tashmë në rolin e trajnerit të portierëve te kampionët e Qipros, Apoel.
Shqiptarët e Qipros
Aktualisht
Klodian Duro, mesfushor (Omonia Nikosia)
Arjan Beqaj, portier (Anorthosis Famagusta)
Altin Haxhi, mbrojtës (Apoel)
Isli Hidi, portier (Alki Larnaka)
Blerim Rrustemi, mbrojtës (Alki Larnaka)
Më parë
Rudi Vata (Apolon Limasol)
Ervin Fakaj (Enosis Paralimni)
Sokol Kushta (Ethnikos Achnas)
Arjan Xhumba (Enosis Paralimni)
Arjan Sheta (Agia Napa)
Katërkëndëshi legjionar i Kombëtares
Porta e përfaqësueses sonë është e gjitha “legjionare”. Arjan Beqaj, portieri i kombëtares shqiptare dhe skuadrës qipriote Anorthosis Famagusta, dhe po në “Ishullin e Afërditës”, luan edhe Isli Hidi me fanellën e Alki Larnakës. Dy gardianët e tjerë të katërkendëshit kuqezi, Ilion Lika, e së fundi edhe Saimir Ujkani aktivizohen respektivisht në Rusi (Terek Grozni) e Itali (Palermo).
“Emigrantët” e parë të portës
Legjenda Qemal Vogli - 6 herë kampion me Dinamon dhe 5 herë fitues i Kupës së Shqipërisë – i mbiquajtur edhe si “Lev Jashini” shqiptar (portieri rus është fituesi i kampionatit Europian 1960), i kishte të gjitha mundësitë të linte gjurmë në Europë, por regjimi komunist nuk ia krijoi këtë mundësi. Edhe Sulejman Maliqati, ish-portieri i Partizanit dhe i mbiquajtur “macja e zezë” nga shtypi gjerman i kohës (gjatë turneut të Laipcigut 1962), mund të shndërrohej në një nga emrat më të mëdhenj të katërkëndëshit në kontinent. Por pamundësia totale e transferimit të lojtarëve në klubet e huaja para viteve 1990, ua hoqi mundësinë edhe emrave të tjerë të spikatur. Me ardhjen e demokracisë portën e ekipeve të ndryshme europiane e do ta mbronin Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi e Blendi Nallbani në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC) apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit të madh dhe tashmë në rolin e një trajneri portierësh në fondacionin e Johan Krujfit dhe Klarens Sedorfit. Mario Cenolli ka pasur fatin të luajë në Angli me një ekip të famshëm si Kristal Pallas, por dhe në Kanada e Shtetet e Bashkuara.
Nga Rusia në Itali, porta flet dhe shqip
Qipro nuk është vendi i vetëm ku portierët shqiptarë dallohen. Rusia, Italia, Greqia kanë në statistikat e lojtarëve të tyre “flamurin kuqezi”. “Gardianë” të tjerë shqiptarë e kosovarë janë duke u rritur në kontinent.
RUSI –Ish-portieri i Dinamos, Ilion Lika, ka fituar vendin e titullarit te skuadra çeçene Terek Grozni në kampionatin rus. Lika, i larguar me “dhunë” nga Dinamo, u aktivizua te Elbasani përpara se të shijojë eksperiencën e tij të parë ndërkombëtare, që çuditërisht është një ekip nga Çeçenia.
ITALI- Në një prej kampionateve më të fortë në Botë, te Palermo po fiton maturi një prej portierëve të Kombëtares U-21 e së fundi, asaj A, Samir Ujkani. Xhino Sejdo luan për Venecia U-17 dhe Deljan Bregasin e Sampdories U-17. Bregasi (194 cm) ka mundur të jetë edhe nënkampion i Italisë për U-17 (sezoni 2006-2007).
GREQI –Te Iraklisi i Selanikut po rritet një tjetër portier me të ardhme. Ky është Enea Koliqi, një nga pesë lojtarët e kësaj skuadre që vesh një fanellë kombëtareje. Koliqi ishte një ndër të thirrurit e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Ari Han në grumbullimin e Antalias. Bruno Guri është portieri i parë i të rinjve të skuadrës greke Ionikos ku aktivizohet prej tre sezonesh me Ionikos.
Portierët e huaj në Shqipëri
Italiani Xhakomo Pozelli është dhe i pari portier i huaj që ka luajtur me një skuadër shqiptare, Flamurtarin, madje ka mbrojtur edhe portën e ekipit tonë kombëtar në fillimet e tij. Pas viteve 90 portierët e huaj janë më shumë të pranishëm në skuadrat tona, duke filluar me nigerianin Emanuel Egbo (luan aktualisht te Bylis), egjiptiani Naser (ka luajtur me Tiranën në kohën e ish-presidentit El-Sajed), polaku Premislav Norko (Partizani), kongolezo-francezi Gutemberg (Partizani). Te Vllaznia është aktivizuar gjermani Lutz Phanevstil. Në sezonin aktual aktivizohen tre portierë të huaj. Te Tirana luan maqedonasi Koronosvki, te Besa aktivizohet prej tre edicionesh shqiptari nga Maqedonia, Suad Zendeli (më parë ka luajtur edhe për Dinamon e Apoloninë), maqedonasi Mirselovski e nigeriani Egbo janë në radhët e Tiranës.
E Premte, 14 Nentor 2008