Hidrocentralet, dy prej tyre kanë 40 milion euro kredi
Për katër hidrocentralet që kanë dalë në shitje nga qeveria shqiptare, për të cilat është ofruar gjithsej 110 milion euro, janë marrë 40 milion euro kredi nga qeveria shqiptare. Konkretisht Hidrocentrali i Bistricës, i cili është dhe më rentabël se tre të tjerat, është rehabilituar tre vite më parë falë një kredie 30 milion euro nga banka gjermane KFW. Kredia, e cila është me interes të butë, vazhdon të paguhet nga qeveria shqiptare. Ndërkohë për hidrocentralin e Ulzës është marrë një kredi 10 milion euro nga Banka Botërore dhe qeveria zvicerane.
Pra, 40 milion euro janë marrë kredi vetëm për dy hidrocentrale dhe çmimi 54 milion euro i ofruar për ta nga Kurum është thuajse vlera e kredisë që shteti duhet të paguajë po të llogarisësh dhe interesat. Kjo i bie që ata të shiten falas pa asnjë lek, pa llogaritur që brenda dy viteve ata i nxjerrin lekët e çmimit ofruar.
Muajin e kaluar shefi i Kurum, Zeki Kaya, është parë të takohet tek një pallat afër Liqenit Artificial me familjarë të kryeministrit Berisha, pasi dështoi tenderi i parë për shitjen e hidrocentralit.
Të katër hidrocentralet prodhojnë rreth 540 mijë Mwh energji elektrike, një shifër kjo e lartë në raport me çmimin që po shiten. Pos kësaj hidrocentrali i Bistricës është një nga veprat më rentabël energjetike në vend, i cili pas rikonstruksionit, është në eficencë të plotë dhe për balancën energjetike në jug të vendit.