President primitiv: Përjashton gazetat kritike nga protokolli i festave, njësoj si Berisha
Presidenti Nishani ka dëshmuar dhe një herë primitivizmin e tij si ushtari i Sali Berishës. Me rastin e fundvitit, në pritjen tradicionale të institucionit të presidencës për Vitin e Ri, ka përjashtuar nga pritja gazetën Tema, meqë ka mbajtur qëndrime kritike ndaj tij, dhe gazetën Dita për të cilën ka bërë sikur nuk i gjen dot redaksinë.
Protokolli i institucionit është një ligjësi që nuk duhet të varet nga orekset e Presidentit apo Zonjës së Parë, e cila merret me punët e Presidentit. Ne mund dhe ta kishim refuzuar shkuarjen në festën zyrtare, por Bujar Nishani nuk është pronar i institucionit të presidencës, por thjeshtë një president kalimtar, i cili duhet të bëjë kujdes të mbahet mend sa më pak për keq.
Gjesti i mosftuarjes së gazetave kritike në një pritje tradicionale, tregon varësinë e tij të fortë ndaj presidentit real të vendit Sali Berisha, të cilit i vret sytë emri i gazetës dhe gazetarëve të saj. Duke imituar Berishën edhe në këtë banalitet, Nishani mbetet thjesht një kapter i rëndomtë ushtrie në presidencë, i cili as patericën nuk lëviz dot pa leje të Berishës.
