Hije tymi në letërsinë e Vjenës
Mynih
Sa mirë që në sallë depërton dritë natyrore, mendon Lundrimi dhe sakaq ndjen në kyçet e duarve mbërthimin e hekurt të prangave. E zbehur nga perdet e rënda ngjyrë qielli drita vezullon mbi bojën e kuqërremtë të rimesos mbi mur, ndërsa aparatet përgjuese më të ndjeshmet në botë regjistrojnë çdo detaj të perëndimit të tij. Gjithçka solemne. Çmu desh?Pyet teksa emri i tij hidhet tutje e tëhu nëpër radhët e karrigeve si një top i gungët pingpongu.
Ky ishte njëri nga pasazhet e romanit Rauchschatten (Hije tymi) të autorit shqiptar Ilir Ferra, përzgjedhur nga kritikja e njohur gjermane Ina Hartwig në fjalën lëvduese të enjten (1.3.) në Mynih në ceremoninë e shpërndarjes së çmimit Chamisso. Hartwig do ta quante Ferrën një talent poetik natyror, nëse ka të tillë.
Shqiptari i parë në listën Chamisso
Ky çmim që mban emrin e poetit Adelbert von Chamisso (1781-1838), i cili ndonëse ishte francez shkruante në gjermanisht, është i vetmi i këtij lloji në hapësirën gjermanofone dhe qysh nga viti 1985 jepet nga Fodacioni Robert Bosch pikërisht për ata shkrimtarë të gjuhës gjermane, të cilët nuk e kanë gjermanishten gjuhë amtare. Ilir Ferra është i pari shqiptar, që hyn në këtë listë, duke qenë njëri nga dy fituesit e çmimit inkurajues.
Çmim inkurajues? Janë nga ato çmime kur njerëzit mërziteshin kur i merrnin… , kujton ai me humor kohërat e vjetra në Shqipërinë komuniste dhe nxiton të shtojë se në rastin e tij është ndryshe. Ky është një çmim shumë rëndësishëm për mua dhe vërtet që më inkurajon të vazhdoj të shkruaj në këtë formë.
Ilir Ferra i ka të gjitha arsyet për të qenë i lumtur me këtë çmim: Në vitin 2008 nderohet tregimi i tij i parë Halber Atem me çmimin Shkrime ndërmjet kulturave, tre vjet më vonë del romani i tij i parë, që këtë radhë tërheq vëmendjen e jurisë së përzgjedhur të Chamisos. Sa për krahasim, kolegu i tij hungarez, Akos Doma, të cilit iu dha i njëjti çmim, priti mbi 11 vjet që nga debutimi në prozë të gjatë. Edhe shuma prej 7000 euro që i takon çdo fituesi të çmimit inkurajues nuk është edhe aq modeste në krahasim me 15.000 eurot që merr me vete fituesi kryesor: Këtë vit ai ishte Michael Stavariç – shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi çek me banim në Vjenë është një nga figurat më të shquara të letërsisë së sotme bashkëkohore.
Stil i guximshëm
Edhe Ilir Ferra banon në Vjenë. Ai ishte 16 vjeç kur në vitin 1991 u largua nga Shqipëria, por vazhdon ta përjetojë shqipen si në ditën e parë që erdha në Vjenë, thotë 38-vjeçari me origjinë nga Durrësi. Ferra ka përfunduar në Vjenë Studimet e përkthimit nga anglishtja dhe italishtja, dhe ka zhvilluar një ndjeshmëri të veçantë për ritmet gjuhësore.
Me keqardhje ai vëren se si ritmi i shqipes sa vjen e humb në mediat shqiptare. Ai vetë është munduar ta ruajë atë madje edhe në tekstet e tij në gjermanisht: Kam bërë një lëvizje komplet të kundërt nga ajo që bëjnë mediat shqiptare, që marrin ritme nga gjuhët e tjera dhe i përshtatin në shqip, siç ndodh zakonisht me italishten, dhe ndonjëherë edhe me anglishten. Unë jam munduar që të përshtat ritmin e gjuhës shqipe në gjuhën gjermane, rrëfen ai.
Një zgjedhje e guximshme, madje për disa shtëpi botuese tepër e guximshme. Shumë syresh nuk donin që ta publikonin me argumentin se gjuha nuk është shumë e përshtatshme për publikun gjerman.
Më në fund libri u botua në Edition Atelier të Wiener Zeitung në vjeshtën e vitit 2011 dhe për ti ardhur në ndihmë publikut romani u shoqërua me një pasfjalë të autores dhe përkthyeses austriake nga gjermanishtja Andrea Grill. Nuk u mbush stina dhe juria e Chamissos do të lëvdonte ndër të tjerash pikërisht atë element që shtëpitë botuese e kishin refuzuar: gjuhën. Me një diksion të kursyer, shpesh thuajse lirik, shpjegohen përjetimet, të fshehtat, hallet dhe zbulimet e personazhit kryesor, shkruhet në argumentimin e jurisë.
Komunizmi nga sytë e një fëmije
Ky personazh kryesor është Erlindi, një fëmijë që jeton në vendlindjen e autorit, në Durrës, në Shqipërinë e viteve 80-të, që ndjek seritë e filmave vizatimorë në televizionin italian – botën e vetme me ngjyra në realitetin gri të komunizmit – dhe lufton për të mposhtur zhgënjimin e dashurisë së parë fëmijërore. Rreth tij të rriturit përpiqen ta ndrydhin presionin e diktaturës me lidhje jashtëmartesore ose ekstaza alkooli. Kam pasur parasysh veten kur e kam shkruar dhe më duket që është një gjë e rëndësishme për të gjithë ne që të kujtohemi për atë që ka ndodhur në vendin tonë edhe thjesht për të parandaluar përsëritjen e gabimeve të tilla, thotë Ferra.
Me këtë kthim në të kaluarën diktatoriale Ferra i bashkëngjitet radhës së autorëve shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë që kanë përdorur si subjekt periudhën e fëmijërisë së tyre në komunizëm. Për nga përmbajtja ky roman përbën ndoshta një mozaik të vogël në zbulimin e gjendjes shpirtërore të asaj kohe, por vlerat e Ferrës qëndrojnë diku tjetër: Tek forca depërtuese e gjuhës së tij poetike. Nuk e përjashtoj mundësinë që pjesë të këtij romani të dalin së shpejti në shqip, thotë Ferra. Të shpresojmë që edhe përkthimi do ta arrijë ta transmetojë këtë forcë.
