Hill: Nuk besoj që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme

PRISHTINË, 11 nëntor/ATSH/- Ish-diplomati amerikan, i dërguari i posaçëm i SHBA-së gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill deklaroi sot në Hagë se nuk ka arsye për të besuar se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është përfshirë në aktivitete për të cilat akuzohet.
Në ditën e dytë të dëshmisë së tij, Hill iu përgjigj pyetjeve të avokatit mbrojtës të Thaçit, Lluka Mishetiç, duke theksuar se nuk ka dëgjuar në atë kohë që ish-presidenti kishte urdhëruar aktivitete të paligjshme të cilat i ngarkohen në këtë aktakuzë.
“Nuk kam arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme, dhe siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Pra, ndjeva që duhet të thosha atë që dija në lidhje me situatën”, tha Hill.
I pyetur nëse kishte komunikuar me Thaçin në kohën e bombardimeve të NATO-s, Hill e mohoi një fakt të tillë, por shtoi se gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd pa dëshirën e tij.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill deklaroi se menjëherë pas takimit në Kumanovë forcat serbe ushtarake dhe policore kishin filluar të largohen nga Kosova dhe NATO po zbarkonte në Kosovë.
Në vijim të seancës gjyqësore, Hill u pyet edhe nga avokatët mbrojtës të Jakup Krasniqit.
Hilla tha se Jakup Krasniqi nuk ishte person i rëndësishëm në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
I pyetur për Xhavit Halitin, ish-diplomati amerikan u shpreh se takimi i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovë konkretisht me Xhavit Halitin ndodhi në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë.
“Ca njerëz më kishin thënë se ishte në nivel shumë të lartë. Dikush më kishte thënë se ishte shok me personat e rëndësishëm në UÇK. Nuk isha i sigurt se kush kishte të drejtë, por ishte ai që përfaqësonte dëshirën për të ndjekur pistat e propozuara”, tha Hill.
Hill tha se nuk ka ndjekur të gjitha ndryshimet e personelit brenda UÇK-së, po interesi i tij ishte që të gjente një grup njerëzisht brenda që të flisnin dhe të merrnin mbështetjen për marrëveshjen autonome.
“Puna ime që të punoja që të transmetoja pikëpamjet e qeverisë amerikane dhe të punoja bazuar në udhëzimet me Uashingtonit për të arritur marrëveshjen për autonomisë. Unë nuk kam ndjekur të gjitha ndryshimet e personelit brenda UÇK interesi im në UÇK ka qenë që vetëm të gjeja dhe të konstatoja një grup njerëzisht që mund të flisnim me një grup më të gjerë në mënyrë që të mbështesnin marrëveshjen për autonominë”, tha ai.