PDK kërkon rivotim në Mitrovicë

PRISHTINË, 11 nëntor /ATSH/ Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar që komuna e Mitrovicës së Jugut të shkojë në rivotim, pasi sipas saj, integriteti i procesit zgjedhor në këtë komunë është cenuar rëndë.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Përparim Gruda, tha se rivotimin në komunën e Mitrovicës do ta kërkojnë edhe në ankesën që do ta paraqesin të martën në PZAP.
Ai tha se parregullsitë në Mitrovicë të Jugut lidhen që fletëvotime me numra serik të caktuar janë gjetur në qendra të ndryshme të votimit.
Kjo sipas tij paraqet fenomenin e “trenit bullgar”. Në balotazhin e 9 nëntorit, kandidati i LVV-së, Faton Peci ka fituar përballë kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri.
“PDK vlerëson se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është i cenuar rëndë, pasi janë shkelur Ligji për Zgjedhjet dhe standardet e njohura nga Komisioni i Venecias. Në këto kushte paraqes kërkesat e PDK-së: Ne kërkojmë që Mitrovica të shkojë menjëherë në rivotim pasi janë disa qendra të mëdha që janë vërejtur parregullsi. Kërkesa jonë në rivotim në Mitrovicë do të shkojë edhe në PZAP”, tha ai.
Më tej ai tha se dje, komisionerët e PDK-së, gjatë procesit të numërimit kanë vërejtur parregullsi si fletëvotime me një numër serik të caktuar, që u takonin një klase votimi, janë gjetur në klasë tjetër, madje edhe në qendra të tjera votimi, prandaj ata kanë alarmuar menjëherë organet e rendit dhe drejtësisë dhe tashmë procesi i numërimit është ndalur.
Gruda tha se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, sepse është shkelur Ligji për Zgjedhjet, rregullat e KQZ-së, si dhe standardet e Komisionit të Venecias për një proces të drejtë dhe të lirë zgjedhor.
/KosovaPress//r.e/