E Diel, 1 Nëntor 2026

Himara, turizëm edhe në vjeshtë, fshatrat tradicionalë tërheqin vizitorë

HIMARË, 10 tetor/ATSH/ Turizmi në Himarë mbetet një alternativë edhe gjatë vjeshtës, me vizitorë vendas e të huaj që zgjedhin të eksplorojnë fshatrat tradicionalë, të zbulojnë trashëgiminë kulturore dhe të shijojnë peizazhet e bregdetit jugor të Shqipërisë.

Kryetari i bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, tha sot për ATSH-në se interesi i vizitorëve ruhet edhe pas përfundimit të sezonit veror, duke dëshmuar potencialin e kësaj zone për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Një nga destinacionet që mirëpret turistë është Qeparoi, ku rrugicat karakteristike, arkitektura tradicionale dhe pamjet drejt detit Jon krijojnë një atmosferë të veçantë edhe në ditët e tetorit. Vizitorët zgjedhin ta zbulojnë fshatin për herë të parë ose të rikthehen për të shijuar qetësinë dhe bukuritë e tij.

“Qeparoi, me rrugicat karakteristike, arkitekturën tradicionale dhe peizazhin e ndërthurur me detin, përbën një nga destinacionet e rivierës shqiptare që tërheq vizitorët në çdo stinë”, tha Tavo.

Ai theksoi se Himara dhe fshatrat përreth kanë potencial të konsiderueshëm për të zhvilluar një ofertë turistike që shkon përtej pushimeve verore.

“Himara ka frekuentim në rritje gjatë vjeshtës, por ajo dhe fshatrat e saj kanë kapacitete të jashtëzakonshme për një turizëm gjithëvjetor. Përveç plazheve dhe detit, që mbeten një nga atraksionet kryesore gjatë verës, zona ofron mundësi për turizëm kulturor, historik, natyror dhe gastronomik në çdo stinë”, u shpreh kryebashkiaku.

Qeparoi, Vunoi, Dhërmiu dhe Piluri, me arkitekturën karakteristike, historinë, traditat dhe mikpritjen, përfaqësojnë një pasuri të rëndësishme për zhvillimin e turizmit jashtë sezonit veror.

Shëtitjet në rrugicat e vjetra, eksplorimi i peizazheve malore, shtigjet natyrore, kulinaria lokale dhe njohja me traditat e zonës u ofrojnë vizitorëve mundësi për të përjetuar një tjetër anë të rivierës shqiptare.

“Ne synojmë që Himara të mos perceptohet vetëm si një destinacion veror, por si një zonë që ka çfarë t’u ofrojë vizitorëve në çdo stinë. Zgjatja e sezonit turistik sjell mundësi të reja për ekonominë lokale, mbështet bizneset dhe agroturizmin, si dhe krijon më shumë hapësira për punësim dhe zhvillim të qëndrueshëm për komunitetin”, theksoi Tavo.

Përveç bregdetit të Jonit, Himara ofron një larmi atraksionesh natyrore dhe historike, nga shkëmbinjtë dhe shpellat natyrore te kalatë e Himarës, Porto Palermos dhe Borshit, kishat me vlera historike e kulturore, si dhe kanionet e shtigjet malore që krijojnë mundësi për turizëm aventure.

E ndërthurur mes detit dhe malit, me fshatra që ruajnë identitetin dhe traditat e tyre, Himara synon të shndërrojë bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore në një ofertë turistike për të 12 muajt e vitit, duke krijuar mundësi të reja për ekonominë dhe komunitetin vendas. /k.s/

1 nga 6

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›