E Shtunë, 31 Tetor 2026

Himarë, Babai i të kërkuarit: ishte aksident trafiku

Tiranë, 14 gusht - Halo Muka, babai i Ilir Mukës, i cili është shpallur në kërkim nga policia për vrasjen e 35-vjeçarit himariot Aristotel Guma, në një intervistë ekskluzive për News24, shpreh ngushëllimet për familjen e këtij të fundit, duke deklaruar se gjatë këtyre ditëve ka pasur mundësi të flasë në telefon vetëm një herë me djalin e tij, i cili i ka thënë se e ka shtypur aksidentalisht një person që nuk e njihte dhe më pas është larguar. Muka deklaron se është e papranueshme që djali i tij të akuzohet për racizëm, kur në të vërtetë ka ndodhur një aksident rrugor.
“Shpreh ngushëllimet e mia për familjarët. I shqetësuar marr vesh se djali i traumatizuar më flet duke thënë se pa dashje, në rrugë ka shtypur një kalimtar, të cilin nuk e njihte dhe me të cilin nuk ka pasur asnjë konfidencë me të, prandaj mos më pyesni më tepër sepse jam tepër i shqetësuar”, deklaroi Halo Muka.
Ai shtoi se djali i tij ka ndërmend të dorëzohet në polici me qetësimin e situatës së krijuar në Himarë, ku, sipas tij, vrasja është kthyer në një ngjarje që po përdoret politikisht. Duke kërkuar që Iliri të dënohet për atë që ka bërë, babai i tij thekson edhe njëherë që nuk do dënim politik. Ndër të tjera i bën thirrje kryebashkiakut të Himarës, Vasil Bollano të mos e përdorë këtë fatkeqësi për qëllime të tijat, të mos bëjë kurban djalin e tij.
"Djali ishte i traumatizuar, nuk erdhi në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Ngjarja u politizua në media. Ai ishte një aksident trafiku. Jemi të gjithë shqiptarë dhe nuk ka vend për diferenca etnike. I bëj thirrje Bollanos, mos politizo fatkeqësinë që ndodhi në rrugë. Djali është një 20-vjeçar që nuk e njeh politikën, nuk i njeh dialektet dhe nuk njeh urrejtjen etnike. I lutem qarqeve politike të mos e politizojnë ngjarjen për të bërë kurban një 20-vjeçar”, përsëriti ai teksa sytë i mban nga televizori, aty nga ku ndjek me vëmendje gjithçka për këtë ngjarje, që ngjalli reagim në mbarë vendin. Ngjarje kjo për të cilën banorët e Himarës bllokuan për orë të tëra aksin Vlorë-Sarandë, në shenjë proteste, me pretendimin që ngjarja kishte motive etnike. Për ngjarjen reagoi me nota të ashpra edhe ministria e Jashtme greke, ndërsa nuk lanë pa e dënuar edhe politikanët shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›