Hiqej si zyrtarë dhe u merrte para bizneseve, pranga 57-vjeçarit

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, ka përfunduar me sukses operacionin policor të koduar “Flop”, duke zbuluar dhe ndërprerë një skemë mashtrimi për përfitimin e parave nga operatorët ekonomikë.
Sipas hetimeve, shtetasi R. M., 57 vjeç, banues në Tiranë, është vënë në pranga pasi ka përfituar 3 000 000 lekë nga administratori i një subjekti privat, duke u prezantuar si përfaqësues i një institucioni vendor. Ky mashtrim është realizuar nëpërmjet komunikimit në aplikacionin “Signal”.
Policia bën të ditur se hetimet për këtë rast janë nisur pas kallëzimit nga një shtetas, i cili ishte mashtruar për t’i dhënë një shumë parash. Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare ka përdorur metoda proaktive nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e këtij rasti dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në skemë.
Aktualisht, vijojnë hetimet për kapjen e bashkëpunëtorit tjetër të paidentifikuar, ndërkohë që materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.
/a.f/