E Enjte, 5 Nëntor 2026

I shpallur në kërkim, vetëdorëzohet në Polici ish-drejtori i Policisë së Lezhës

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri, i shpallur në kërkim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit me kërkesë të Prokurorisë Speciale Anti-korrupsion (SPAK), në kuadër të operacionit “Revanshi”, u vetëdorëzua sot pasdite në Policinë e Tiranës.

“Sot më datë 11.09.2024, rreth orës 18:45, është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, shtetasi H. M., i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi””, njofton Policia e Tiranës.

Mitri u shpall në kërkim pas hetimit të kryer nga SPAK, i cili pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, rezultoi se Mitri drejtonte aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës, ndërsa në bashkëpunim me biznesmenin Pëllumb Gjoka organizonte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Prokuroria e posaçme e akuzon ish-zyrtarin e lartë të policisë për  kryerjen e veprave penale “kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim”, “grup i strukturuar kriminal” dhe “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›