E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet kufiri i borxhit

Kufiri ligjor i borxhit publik nuk do të ekzistojë më. Është ky propozimi më i fundit i ministrisë së Financave, i përfaqësuar në ligjin organik, për menaxhimin e borxhit publik. Me këtë veprim qeveria i lejon vetes që edhe për vitin 2012, të kapërcejë kufirin ligjor të vetëimponuar deri tani, i cili është në nivelin e 60 për qind.
Ndryshimi u prezantua sot në komisionin kuvendor të Ekonomisë nga zëvendësminsitri i Financave, Nezir Haldeda. Sipas tij, kalimi i nivelit të borxhit ndodh për shkak të garancive, që shtetit lëshon për llogari të disa institucioneve, siç është Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare.

Por deputetët e opozitës kundërshtuan këtë ligj me arsyetimin se nuk ka mundësi të ketë një ligj evaziv, pa limite sepse nuk mund të bëhet dot një parashikim i tillë.

Për 9-mujorin e vitit 2012, borxhi publik i Shqipërisë llogaritet 813,5 miliardë lekë ose rreth 59.8 për qind e Prodhimit Kombëtar. Sipas treguesve fiskalë të ministrisë së financave, parashikohet që borxhi publik deri në fund të vitit 2012 te jetë 60.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›