E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia ne pritje te Eurogrupit

Ministrat e Financave të Eurozonës do të mblidhen sot për të dytën herë në Bruksel për të diskutuar mbi mënyrën e reduktimit të borxhit grek. Por më parë kërkohet një marrëveshje që disa prej kredive zyrtare për Athinën të falen për të patur mundësinë e një uljeje të borxhit. Në takimet dhe telekonferencën e fundjavës nuk pati asnjë rezultat mbi këtë marrëveshje, e cila kërkon që deri në 2020 borxhi publik i Greqisë të zbresë në 120% të PBB, nga 170% që është aktualisht. Disa nga propozimet që pritet të diskutohen mbi mënyrën e reduktimit të borxhit flasin për zvogëlimin e interesave për kreditë e dhëna, ku ka përplasje mes Francës dhe Italisë nga njëra anë dhe Gjermanisë nga ana tjetër për nivelin e kësaj norme. Një tjetër opsion lidhet me shkurtimin e borxhit mbështetur në shtyrjen e pagesave të interesit të kredive. Ndërkohë që Banka Qëndrore Europiane pritet të heq dorë nga fitimet në portofolin e saj të bonove qeveritare greke. Kjo shihet si e pamundur nga pjesa më e madhe e bankave europiane, të cilat nuk mund të heqin dorë kollaj nga këto fitime. Nëse ministrat e Financave do të bien dakord për propozimet përkatëse atëherë Greqisë do t’i mundësohet dhënia e këstit të radhës së ndihmës, shumë i nevojshëm për daljen e vendit nga recesioni. Gjithsesi krerët e financave të eurozonës në deklaratat paraprake shprehen se vendimi ka mundësi të merret në takimin e eurogrupit të datës 3 dhjetor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›