E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hiqet taksa 10 euro e vizës për në Turqi



Qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Turqisë, nuk do të paguajnë më taksën e vizës, e cila kushton 10 euro ose 15 dollarë. Kjo është sanksionuar dje në një marrëveshje nënshkruar mes dy shteteve. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, vizitoi dje Tiranën zyrtare, ku u takua me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, nga ku nënshkroi edhe marrëveshjen për heqjen e taksës së vizës për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Turqisë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, të dy ministrat e jashtëm, Meta dhe Davutoğlu, konfirmuar nivelin e mirë të marrëdhënieve si dhe mundësinë për shtimin e mëtejshëm të tyre. “Është një lajm shumë i mirë për të gjithë qytetarët tanë, që ne kemi rënë dakord të hiqet pagesa për vizat, e cila është jo vetëm një kosto financiare, por mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike”, - deklaroi ministri Meta gjatë konferencës. Ministri turk tha se heqja e kësaj takse do të shtojë lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve. “Si një dhuratë e bukur në këtë ditë pushimi për të gjithë shtetasit shqiptarë, ne vendosëm që të hiqen të gjitha pagesat për vizat. Marrëdhëniet politike janë në një nivel shumë të mirë. Ne si dy ministri të jashtme vendosëm që të thellojmë më shumë marrëdhëniet mes nesh dhe vendosëm që diplomatët e rinj shqiptarë të trajnohen në Ministrinë e Jashtme të Turqisë dhe të përfitojnë nga përvoja jonë”, - tha ministri i Jashtëm turk.

Dy homologët shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit politik, i cili do të vazhdojë me shkëmbime të tjera të rëndësishme gjatë këtij viti mes dy vendeve, sikurse është vizita në Shqipëri, në fillim të muajit dhjetor 2009 e Presidentit të Turqisë z. Abdullah Gül.

Një vend të rëndësishëm gjatë bisedimeve zuri edhe thellimi i bashkëpunimit midis dy ministrive të jashtme si në nivelin dypalësh, ashtu edhe në nivelin rajonal dhe atë ndërkombëtar, në veçanti në kuadër të NATO-s dhe të integrimit në Bashkimin Evropian. ”Ne kemi rënë dakord për t’i forcuar më tej marrëdhëniet midis dy ministrive të jashtme dhe për të zhvilluar takime dhe konsultime të vazhdueshme për të gjitha çështjet me interes reciprok, por edhe për çështje të tjera ndërkombëtare. Jam i bindur se vizita e kolegut turk do t’u japë një tjetër dinamikë marrëdhënieve tona dhe së bashku me vizitën e Presidentit të Turqisë, z. Gyl, janë një mbyllje e shkëlqyer për këtë vit dhe një nxitje shumë e rëndësishme për të rritur bashkëpunimin vitin e ardhshëm”, - deklaroi Ilir Meta. Homologu i tij turk deklaroi se “miqësia mes nesh nuk njeh ditë pushimi”. “Mund të thuhet se marrëdhëniet tona janë në nivel të përkryer. Mes nesh nuk ka asnjë problem, por ama çdo gjë e përkryer ka edhe më të përkryerën e vet, ndaj edhe ne si dy ministra të punëve të jashtme, duhet të bëjmë akoma më tepër për t’i zhvilluar më tej këto marrëdhënie”, - tha më tej ministri turk. Sipas tij: “Marrëdhëniet ekonomike po ecin mjaft mirë; sot ato janë në nivelin e rreth 1 miliard dollarëve, ndërsa vëllimi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve tona është rreth 350 milionë dollarë, por duhet të ketë një hop akoma më të madh me fillimin e funksionimit të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë”.

I pyetur nga media, ministri shqiptar Meta përshëndeti marrëveshjen mes Kosovës dhe Maqedonisë për përcaktimin e kufirit. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm turk, Davutoğlu, tha se në bisedën mes Presidentit Obama dhe atij turk, u diskutua për sigurinë e rajonit, në veçanti të Bosnjë-Hercegovinës.

Berisha: Brenda mandatit, investimet turke, 1 miliard dollarë

Kryeministri Sali Berisha priti dje ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, ku kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se në katër vite, investimet turke në Shqipëri shkuan nga 50 milionë dollarë në vit, në 1 miliard dollarë brenda mandatit. Sipas Kryeministrit shqiptar, marrëdhëniet mes dy vendeve janë në nivelet më të larta. Kompani nga më të mëdhatë dhe më seriozet turke janë duke zhvilluar aktivitete të suksesshme në Shqipëri. Kryeministri Berisha dhe ministri turk shprehën vendosmërinë e të dy qeverive që në vijim të zgjerohet bashkëpunimi edhe më tej në të gjitha fushat, në veçanti në turizëm, arsim, transporte etj. “Populli shqiptar dhe populli turk janë të lidhur me mijëra fije miqësie tradicionale ndjenjash solidariteti dhe jemi të lumtur që gjatë viteve të fundit kjo miqësi dhe këto marrëdhënie të shkëlqyera kanë njohur rritje dhe konsolidim të mëtejshëm dhe kanë arritur nivelet më të larta”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Ministri turk, pasie falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më miqësore të Presidentit të Turqisë, zotit Abdullah Gyl, dhe Kryeministrit Recep Tayyip Erdogan. Duke iu bashkuar vlerësimit të Kryeministrit Berisha, ministri turk Davutoğlu u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera dhe se Turqia vlerëson lart kontributin personal të Kryeministri Berisha dhe të qeverisë së tij në konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera miqësore mes dy vendeve dhe popujve miq, atij turk dhe atij shqiptar, dhe në intensifikimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve, në të mirë të mirëqenies dhe begatisë të të dy popujve. Në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm turk Davutoğlu shprehën qëndrimin e të dy qeverive për mosndryshim të kufijve të Bosnje-Hercegovinës si dhe për mosndryshim të kufijve ndërkombëtarë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si garancia e vetme për paqen dhe sigurinë në rajon.

Topalli: Marrëdhënia Turqi-Shqipëri, një dimension të ri

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje ministrin e Jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, nga ku deklaroi se marrëdhëniet mes dy vendeve ndodhen në një dimension të ri. Duke vlerësuar si shumë domethënëse mbështetjen e Turqisë, veçanërisht në partneritetin në NATO, kryetarja e Kuvendit tha se bashkëpunimi ndërparlamentar ka nisur të marrë një dimension të ri, duke e bërë diplomacinë parlamentare komplementare të diplomacisë ekonomike. Vetëm në katër vitet e fundit shkëmbimet ekonomike me Turqinë janë katërfishuar dhe kryetarja e Kuvendit shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në infrastrukturë, telekomunikacion dhe gaz, por edhe në arsim e kulturë, ndërsa ministri Davutoğlu shprehu interesin e Turqisë për të nxitur më tej rritjen e numrit të investimeve turke në Shqipëri. “Turqia është e interesuar për dinamizëm të bashkëpunimit parlamentar me Shqipërinë, pasi Parlamenti është shpirti i një kombi”, - tha ministri i Jashtëm i Turqisë. Ministri Davutoğlu i përcolli kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga kryetari i Asamblesë së Turqisë, Mehmet Ali Sahin, duke shtuar se marrëdhëniet historike mes dy vendeve kanë njohur gjithnjë e më shumë rritje dhe tashmë fokusi do të jetë bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik. Duke u ndalur në politikën rajonale, kryetarja e Kuvendit vlerësoi mbështetjen e jashtëzakonshme të Turqisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, ndërsa ministri Davutoglu theksoi se Turqia ka në prioritete të politikës së saj të jashtme vijimin e mbështetjes për rritjen e numrit të vendeve që njohin shtetin e ri të Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›