Kufiri ujor me Greqinë, Meta: Ramën e mirëpres në Kuvend, por edhe në zyrë
Zëvendëskryeministri, njëkohësisht ministër i Jashtëm, Ilir Meta, deklaroi dje nga Shkodra se pret opozitën në Kuvend për të diskutuar marrëveshjen e ndarjes së ujërave me shtetin grek. Sipas Metës, marrëveshja është transparente, madje ai fton kreun e PS-së, Edi Rama, në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme për të folur për këtë marrëveshje. “Unë e mirëpres Ramën edhe në Ministrinë e Jashtme, ku ai mund të takohet me të gjithë ekspertët që janë marrë me këtë çështje. Megjithatë, është e drejta e tij të veprojë për të ndërmarrë nisma të tilla”, - deklaroi Meta. Sipas ministrit të Jashtëm, qëndrimi i opozitës dëmton marrëdhëniet me shtetet fqinje. Ai u shpreh se opozita mund të marrë të gjitha të dhënat e kërkuara për marrëveshjen e ujërave sipas rrugëve institucionale. “Vetëm duke u bashkuar në Parlament dhe duke realizuar një opozitë efektive Partia Socialiste mund të kontribuojë për afirmimin e vetvetes, ndërsa bojkoti është i pavend pas vlerësimit që ka vënë në lëvizje të gjitha institucionet ndërkombëtare”, - deklaroi Meta nga Shkodra. Duke folur më tej për median, ministri i Jashtëm tha se transparenca e kërkuar nga opozita mund të bëhet vetëm në Kuvend, ndaj ai riftoi opozitën socialiste të vijë në seancat plenare. “Opozita të hetojë me transparencë për marrëveshjen dhe të mos flasë si para 100 vjetësh. Rruga për transparencë nuk është në Ministrinë e Jashtme, por është në Parlament. Ne e kemi pasur të fortë politikën e fqinjësisë së mirë, por duke mbrojtur interesat e vendit. Të jeni të sigurt se gjithçka do të hetohet me transparencë”, - shtoi Meta. Kreu i LSI-së e ka cilësuar reagimin e opozitës për marrëveshjen e ujërave jokorrekt dhe të pamatur, madje u ka bërë thirrje ekspertëve të saj të kërkojnë gjithë informacionin e duhur. Sipas tij, qeveria është e gatshme të ofrojë të gjitha të dhënat për të provuar se marrëveshja me Greqinë është korrekte.