Hise në Kushtetutë

Greva e urisë e 541 të burgosurve në Dubravë ka hyrë në ditën e katërt. Zyrtarë të këtij burgu dhe ata të Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), tregojnë se situata deri më tash është e qetë.
Kërkesa e vetme e të burgosurve është që Ligji për amnisti të përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila së shpejti pritet të ndryshohet në disa pjesë të saj.
Ata kërkojnë që kjo e drejtë të rregullohet me Kushtetutë, ashtu siç e kanë një numër i madh i shteteve, duke e shndërruar në obligim për Presidentin e vendit që për çdo vit, me rastin e festave të ndryshme shtetërore, t’i falë ose t’i zvogëlojë dënimet e shumë të burgosurve.
Nga 786 të burgosur që aktualisht janë duke i vuajtur dënimet në burgun Dubravës, 541 prej tyre janë në grevë, kurse 245 të tjerë nuk i janë bashkangjitur asaj.
Drejtori i këtij burgu që është më i madhi në Kosovë, Haki Maxharraj tregon për Express se situata është e qetë dhe se nuk kanë pasur asnjë problem.
“Gjithçka është nënë kontroll. Të burgosurit kërkojnë të drejta përmes grevës së urisë, por ne nuk kemi asnjë ankesë ndaj nesh”, thotë Maxharraj.
Të mërkurën, të burgosurit janë vizituar edhe nga Behxhet Shala, kryetarë i KMDLNJ’së, i cili sqaron se kërkesa e tyre nuk është e panjohur për zyrtarët e institucioneve të vendit.
“Një kërkesë të tillë ata e kanë shprehur që në kohën kur ministra të drejtësisë kanë qenë Nekibe Kelmendi apo edhe para saj, kur ishte Jonuz Salihaj”, thotë Shala për Express.
Ai tregon se pas tri orë bisedimesh vetëm me të burgosurit, pa praninë e zyrtarëve të burgut, asnjë prej tyre nuk i është ankuar për sjelljet e menaxhmentit të këtij institucioni korrektues.
Duke cituar të burgosurit, Shala thotë se ata janë të bindur se Kosova është i vetmi shtet që Ligjin për amnisti nuk e ka të përfshirë në Kushtetutën e vet.
Sa për kushtet, ai thotë se ato janë të mira dhe se tërë stafi i burgut është i mobilizuar për të kontrolluar situatën.
“Ne si KMDLNj i përkrahim të drejtat që të burgosurit kanë, por nuk e përkrahim grevën e urisë si mënyrë për të arritur qëllimin”, thotë Shala, sipas të cilit, aktualisht nuk ka shenja se gjendja në burg mund të eskalojë.
“Ata thanë se do të vazhdojnë grevën”, tregon Shala fjalët e të burgosurve, pavarësisht se atyre u ka treguar se për kërkesën që kanë, tashmë janë njoftuar zyrtarët më të lartë të shtetit.
Ditë më parë, Hajredin Kuçi, ministër i Drejtësisë, i ka dërguar nga një letër Presidentes së vendit, Atifete Jahjagës, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe kryetarit të Komisionit për ndryshime në Kushtetutë, Arsim Bajramit.
Të gjithë atyre, ministri Kuçi ua ka shpjeguar situatën e krijuar dhe kërkesën që kanë burgosurit.
“Tash të shohim se si do të vazhdojë kjo çështje”, thotë Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv në KMDLNJ.
Kjo nuk është hera e parë që të burgosurit hyjnë në grevë për kërkesa të ndryshme. Burgjet e vendit shpesh janë tronditur nga situata të tilla, madje ka pasur raste që edhe vetë gardianët të jenë të pakënaqur me pagat që kanë dhe të protestojnë.