Njësia e kontrabandës
Katër pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, dy policë të stacionit Jugu në Mitrovicë dhe një qytetar, janë arrestuar nga vetë forcat e rendit si të dyshuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe kontrabnadim me mallra.
Njëri nga katër të arrestuarit e Njësisë Speciale, sipas burimeve të Expressit, mban gradën e rreshterit, kurse të tjerët nuk mbajnë pozita më të larta sesa pjesëtarë të kësaj njësie.
Të shtatë të arrestuarit, përveç njërit, janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë të nacionalitetit shqiptar, shtetas të Kosovës. Disa orë më vonë, me vendim të prokurorit, është liruar qytetari i arrestuar si i dyshuar për kontrabandim të mallrave, ndërkohë që rasti është proceduar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës ka konfirmuar këtë rast duke thënë se arrestimi është kryer të mërkurën në orët e mesditës, por nuk ka pranuar të japë identitetet e tyre.
“Arrestimi i tyre është bërë nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer vepra penale ‘marrje e ryshfetit dhe shpërdorim i pozitës zyrtare”, sqaron policia në njoftimin zyrtar.
Sipas tyre, dyshohet se marrja e ryshfetit ka të bëjë me kontrabandim të mallrave nga veriu i Mitrovicës drejt territorit të Kosovës.
Aksioni për arrestimin e tyre është bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Departamenti Special Antikorrupsion i quajtur si Njësiti i Task Forcës Kundër Korrupsionit dhe është kryer në bashkëpunim me EULEX-in.
Ky njësit antikorrupsion, sipas policisë, ka kryer një operacion policor të përfshirë në tri rajone, Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë.
”Në tri rajonet e përmendura, me urdhër të gjyqtarit të Procedurës Paraprake të EULEX-it, zyrtarët policorë në bashkëpunim me Administratën Tatimore, kanë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme, ku tri prej tyre kanë qenë lokale afariste dhe një shtëpi private”, konfirmon policia.
Bastisjet, sqaron policia, janë realizuar nën dyshimin e bazuar për blerje të mallrave të kontrabanduara, ku zyrtarët nga Administrata Tatimore kanë shqiptuar disa gjoba në këto lokacione.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për të vazhduar me proceduara të mëtutjeshme.