E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori dhe tradita çame në Muzeun Kombëtar

Histori, traditë, trashëgimi, kulturë e përcjellë deri në ditët e sotme. Një varg stendash, përmes imazheve, por edhe teksteve, japin një histori të përmbledhur të çamërisë. Ekspozita është çelur dje në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Njëkohësisht, e konsideruar si dita e traditës çame, aktiviteti i pasdites së djeshme ka përfshirë edhe elemente të kulinarisë.

Amvisat çame kanë ofruar për të pranishmit gatime tipike të tyre, duke sjellë në këtë mënyrë jo vetëm larminë e kësaj kulinarie, por edhe një traditë që vazhdon të ruhet edhe sot në familjet çame. Këto aktivitete i paraprijnë në mënyrë të natyrshme 27 qershorit, ditës së kujtimit të gjenocidit grek ndaj popullsisë çame.

“çamëri, pasojat e gjenocidit grek”, kështu titullohet një prej stendave që tregon njerëz të përvuajtur të shpërngulur nga vendet e tyre me dhunë. Ekspozita përfshin elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me figura të shquara të krahinës, kontributin që kjo krahinë dhe personalitete të saj kanë dhënë në historinë e Shqipërisë, gjejmë rite e tradita, por edhe veshje tradicionale. Aktori Reshat Arbana, i ftuar edhe më herët në aktivitete të organizuara nga komuniteti çam, ka lexuar vargje poezish të shkrimtarëve me origjinë nga çamëria.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›