Histori suksesi në QSUT, Koçiu: Realizohet ndërhyrja me kohëzgjatje 4,5 orë

TIRANË, 6 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka ndarë sot një tjetër histori suksesi në Kirurgjinë e Përgjithshme të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ministrja Koçiu pohon se është kryer një ndërhyrje rezeksion abdomino-perineal, me një kohëzgjatje prej 4,5 orësh, u realizua me sukses në shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT.
Sipas Koçiut, “pas një ore vlerësimi post-operator, pacientja ndodhet tashmë në gjendje shumë të mirë”.
“Falë profesionalizmit të ekipit të kirurgëve dhe kushteve moderne të sallave operatore, në këtë shërbim kryhen çdo ditë me sukses ndërhyrje të ndërlikuara, duke garantuar kujdes shëndetësor të standardeve më të larta”, shprehet Koçiu në një postimin në rrjetet sociale.
Përgjegjësi i sallës së urgjencës pranë QSUNT-së, Leonard Bylykbashi shpjegon në një video të gjitha procedurat e ndjekura para operacionit, nga pajisja me veshje e stafit të mjekëve te vlerësimi i diagnozës dhe gjendjes së pacientëve përpara ndërhyrjes kirurgjikale.
“Do bëjmë një operacion me prof. dr. Enton Bollano. Është një problem serioz i zorrës së trashë, i diagnostikuar tek ne. Më parë ka bërë një trajtim në Spitalin Onkologjik, tani ka ardhur momenti për t’u operuar. Teknika kirurgjikale përcaktohet në mbledhjen e mëngjesit në prani të shefit të klinikës, prof. Arben Gjatës.
Më pas vlerësohet pacienti për rrezikshmëri që ka ose merren masat që të minimizohet rrezikshmëria si intra dhe postoperatore, ku punën e stafit operator e drejton prof. dr. Krenar Lila që është shefi i shërbimit të anestezisë. Nga ai moment pacienti pasi është diagnostikuar dhe është përcaktuar ndërhyrja kirurgjikale dhe teknikat, futet në sallë”, thotë mjeku Bylykbashi.
/r.e//a.f/