E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e repit në Kosovë: Mad Lion vs Etnon

Historia e repit në Kosovë është subjekt i këngës “Chronicle” realizuar nga “Etnon”, Presioni dhe DJ Blunt.
Kënga është kronikë mbi fillimet e repit shqiptar, ku përmenden të gjithë reperët veteran të Kosovës.
 
Një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të dikurshëm të Etnon (atëbotë "Etno Engjujt"), reperi Luan Zeqiri, i njohur si Mad Lion, konsideron se nuk janë përmendur të gjithë ata që do të duhej.
“Në themelimin e PMC Records kam qenë edhe unë, dhe ne e kemi ngritur në këmë, e me një kthim shpine të fshihen të gjitha... Në këngë nuk është thënë realiteti, vetëm kjo gjë më pengon. Njerëzit që na njohin të dyve dhe të kaluarën tonë, e dijnë që realiteti është ndryshe,” ka thënë Luani për Indeksonline, duke shtuar:
 
“Ka njerëz të tjerë që kanë kontribuar në hip hop nga fillimi, në kohën kur ndoshta Genci s’ka qenë fare i angazhuar  dhe nuk janë përmendur. Unë nuk vuaj nga fakti që s’më  ka përmendur, pasi kështu unë s’kam hyrë në të njejtin grup me ca njerëz që nuk i pëlqej. Ai i ka përmend disa që deri dje i ka sharë, gjatë kohës kur ne jemi shoqëruar. Fakti që i ka përmendur ata më ka çuditur më tepër, se sa ajo që nuk më ka përmendur mua. Për shembull TBA, pasi ka bërë këngë me ta, e të cilët deri dje i ka sharë duke thënë se s’vlejnë asgjë. Kjo gjë më ka çuditur si e ka bërë, por njerëzit bëjnë shumë gjëra për interes. E kam parë se ka shumë njerëz me të cilet ai ka punuar e nuk i përmend, duket se e ka shikuar gjithmonë interesin e vetë. Unë botën time e shoh ndryshe nga ai.”

 
Mes tjerash, Mad Lion thotë: “Nuk kemi pasur kurrfarë acarime. Sa më ka ndihmuar i kam ndihmuar. Nuk e mohoj faktin që më ka ndihmuar por edhe unë i kam ndihmuar atij, pasi ai ka punuar në shtëpinë time. Të gjithë e dijnë se hitet më të mëdha ai i ka nxjerrë nga studio e shtëpisë sime. Tani më fshinë në çdo apekt, jo vetëm në këngë, por edhe në web-faqe, nuk shfaqem askund që kam qenë pjesë e PMC Records, më vonë Gramafon Records, tani Black Fish.”
 
I kontaktuar nga Indeksonline, reperi e producenti Genc Prelvukaj thotë:
“Në “Chronicle” janë përmendur artistët që kanë bërë muzikë para vitit 1999 dhe kjo është arsyeja pse të tjerët nuk përmenden në këngë”. 
Ai ka theksuar faktin se "Chronicle'' nuk ka të bëj me raporte personale me reperët:  “Sa për dijeni, momentalisht ndër miqtë e mi më të mirë janë Lyrical Son, Mc Kresha, Kaos, Dj Blunt dhe Real 1, dhe nuk janë përmendur, poashtu shkaku që janë gjeneratë e pasluftës. Njerëzit mund ta interpretojnë siç duan por kjo është e vërteta.”
 

 
Ndërsa, lidhur me disa shkrime të publikuara kohë më parë, Luani sqaron: “Mediat kanë shkruar më herët diçka që më ka penguar shumë, se gjoja “Genci nuk mund të shkelë pragun e shtëpisë sime”, derisa unë kam thënë gjëra tjera. Ky shkrim ka qenë shpifje, pasi unë armikut i them “bujrum”, e le që Gencin nuk e kam armik. Askujt nuk i kam thënë deri sot se s’mund të më shkelë në prag. Por së fundmi reperët janë ndarë në shumë klane dhe kanë folur shumë të pavërteta. Prandaj unë do të vlerësoja një debat dhe përballje me të vërtetën, që të përshfaqet realiteti.”
 

 
“Chronicle” është këngë e albumit “7 Chapters” të lansuar gjatë verës së kaluar nga Etnon, të cilët vazhdojnë të jenë aktiv në skenën muzikore shqiptare, me koncerte e projekte të reja muzikore.
Ndërsa Mad Lion ka paralajmëruar rikthimin e tij dhe është punuar albumin e ri në Zvicër, bashkë me një vidoeklip që do të realizohet me produksionet atje. /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/
 
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›