Historiku i presidentëve postkomunistë
Që nga viti 1991 e deri më sot Shqipëria postkomuniste është drejtuar nga 5 presidentë që nga Ramiz Alia e deri te Bamir Topi, që ia kalon mandatin Bujar Nishanit. Në bazë të disa dispozitave kushtetuese, të cilat u miratuan nga Kuvendi i vitit 1991, u vendos shkrirja e Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe krijimi i institucionit të Presidentit, që u drejtua për herë të parë nga ish-Sekretari i Parë i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alia, raporton Vizion Plus.
Alia u zgjodh më 30 prill 91 me 2/3 e votave të Kuvendit, që përbëhej nga 250 deputetë. Ish-udhëheqësi komunist e mbajti këtë post për një vit deri më 3 prill 1992 kur vendi hyri në zgjedhje të parakohshme. Ramiz Alia shënoi kështu dhe Presidentin e parë të vendit, duke u pasuar nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili pas fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, la detyrën partiake për tu ngjitur më 9 prill 1992 në postin më të lartë. Berisha qëndroi në këtë detyre për gati pesë vjet, duke u rizgjedhur sërish si kryetar shteti më 3 shkurt të 1997. Por mandatin e dytë Berisha nuk mundi ta çojë deri në fund, për shkak të humbjes së zgjedhjeve të parakohshme të 29 qershorit 97, humbje që e detyroi ish-kreun e shtetit të japë dorëheqje, duke iu rikthyer postit të kryetarit të PD-së.
Pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit nga PD-ja dhe fitores së socialistëve, këta të fundit i propozuan Kuvendit emrin e Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Rexhep Meidani, për postin e Presidentit. Me shumicë votash, Mejdani u votua më 24 korrik 1997 në vendin e lënë nga Berisha. Rexhep Mejdani e mbylli mandatin pesëvjeçar në korrik të 2002-it. Përfundimi i detyrës nga ana e tij shënoi edhe ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Këtë herë emri i katërt i kryeshtetarit erdhi pas arritjes së konsensusit mes pozitës dhe opozitës, duke ngjitur në këtë detyrë ish-gjeneralin Alfred Moisiu. Edhe Moisiu e mbajti mandatin për pesë vjet. Pas një procesi të gjatë me ulje-ngritje, publikime e djegie emrash, me 20 korrik 2007 Bamir Topi u votua si president me 85 vota, 6 prej të cilave nga deputetet socialiste, të njohur si mbështetës të Fatos Nanos.
Topi u betua më 24 korrik, ditë që shënon dhe fundit e mandatit të tij 5-vjeçar. Presidenti i gjashtë që merr detyrën sot, Bujar Nishani, u zgjodh në raundin e katërt, më 11 qershor, me 73 vota, duke vënë në zbatim për herë të parë ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, që parashikojnë zgjedhjen me shumicë të thjeshtë në 2 raundet e fundit.
Vendi ynë ende nuk ka shënuar në listën e krerëve të shtetit ndonjë emër femre, megjithëse disa herë janë hedhur në qarkullim kandidatura të tilla. Po kështu, askush nuk ka mundur të konsumojë 2 mandate presidenciale. Vetëm Berisha u zgjodh për here të dytë, por pa mundur të jetë për 10 vjet kreu i shtetit i shqiptarëve.
