E Diel, 1 Nëntor 2026

Hita takim me strukturat e policisë në Korçë! Porosi goditja e grupeve kriminale

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar sot takim me strukturat e policisë në Korçë, duke lënë si porosi goditjen e grupeve kriminale, armëmbajtjen pa leje, trafikun e drogës e kapjen e shtetasve në kërkim.

Gjatë takimeve, Drejtor Hita vuri theksin fillimisht te siguria e nxënësve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Për përmbushjen e këtij prioriteti absolut, Drejtori kërkoi që zbatimi i planit të masave për garantimin e perimetrit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor të monitorohet personalisht nga drejtuesit e strukturave të Policisë vendore, të cilët duhet të jenë në dijeni të problematikave dhe dinamikave që lidhen me shkollat në qarkun përkatës.

Në këtë kuadër, Drejtori kërkoi intensifikimin e kontrolleve brenda dhe jashtë perimetrit të sigurisë së shkollave, për përcaktimin dhe goditjen e elementeve që nxitin nxënësit në veprimtari kriminale.

Gjithashtu, gjatë takimeve Drejtori Hita kërkoi nga strukturat vendore dhe kufitare të Policisë:

* goditjen e krimeve të rënda, armëmbajtjes pa leje, veprave penale në fushën e narkotikëve dhe grupeve kriminale;

* forcimin e luftës kundër krimeve kufitare dhe trafiqeve, nëpërmjet hetimeve proaktive;

* përmirësimin e performancës së Policisë dhe shërbimin me etikë ndaj qytetarëve, nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit të ngushtë dhe të drejtpërdrejtë;

* rritjen e sigurisë rrugore dhe përdorimin efektiv të teknologjisë, me objektiv parandalimin e aksidenteve.

Më tej, Drejtori theksoi rëndësinë e besimit të qytetarëve te Policia e Shtetit, si elementi kyç i përmbushjes së detyrave funksionale.

Hita u shpreh se ky besim rritet vetëm duke intensifikuar punën, angazhimin dhe burimet njerëzore, për të adresuar në mënyrë shteruese, informuese dhe zgjidhëse shqetësimet apo pretendimet e qytetarëve që i adresohen Policisë, nëpërmjet platformës së bashkëqeverisjes dhe adresave zyrtare të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›