Operacioni “Implikimi”/ Arrestohet 40-vjeçari me precedent në Krujë, i sekuestrohet një armë, municion, jelek antiplumb dhe 20 mijë euro

Një 40-vjeçar me precedent të mëparshëm penal është arrestuar në Krujë, pasi gjatë një kontrolli në ambientet e një hoteli në pronësi të tij janë gjetur armë zjarri, municion, një jelek antiplumb dhe 20 mijë euro, të dyshuara se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme.
Operacioni, i koduar “Implikimi”, u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kontrollet u kryen në një subjekt hotelier në Krujë, në pronësi të shtetasit A. Gj., 40 vjeç, i cili rezulton me precedent të mëparshëm penal.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë, një krehër me 20 fishekë luftarakë, një jelek antiplumb si dhe 20 mijë euro, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të kundërligjshme.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 40-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe sendet e dyshuara si të kundërligjshme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet vijojnë me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të dyshuar të këtij shtetasi dhe përcaktimin e origjinës së shumës së parave.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.