E Diel, 1 Nëntor 2026

Hollande firmos ligjin për martesat e homoseksualëve

Presidenti francez, Francois Hollande, ka firmosur ligjin e diskutuar së shumti për martesat e homoseksualeve, duke e kthyer Francën në vendin e nëntë në Evropë dhe të 14-in në botë që miraton këtë ligj.

Të premten, Këshilli Kushtetues hodhi poshtë një sfidë të hapur nga opozita e krahut të djathtë, duke i hapur rrugën Hollande që të nënshkruante projektligjin.

“Unë e kam marrë këtë vendim. Tani është koha të respektojmë ligjin e Republikës”, deklaroi Hollande.

Ndërkohë që martesa e parë homoseksuale mund të mbahet 10 ditë nga firmosja e ligjit.

Por ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Alain Vidalies tha për televizionin francez se pret që martesat e para të zhvillohen para datës 1 korrik.

Hollande dhe Partia e tij Socialiste e kishin kthyer projektligjin në fjalë në flamurin e betejës në zgjedhjet që i sollën në pushtet një vit më parë.

Pas një debati torturues, projektligji për martesat mes personave të së njëjtës gjini u miratua nga Senati francez dhe Asambleja Kombëtare muajin e kaluar.

Ai u kundërshtua menjëherë me argumente kushtetuese nga partia opozitare e krahut të djathtë UMP, e drejtuar nga ish-presidenti Nicolas Sarkozy.

Por Këshilli Kushtetues vendosi të premten se martesat gay nuk bien ndesh me asnjë parim kushtetues dhe me asnjë nga të drejtat themelore dhe sovranitetin kombëtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›