Homazh për të paharruarin Gani Azemi
Lajmin e hidhur e mora me telefon, ndërsa po përgatitesha të udhëtoja drejt Vlorës, për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë me shokët dhe miqtë e mi të rinisë. Gani Azemi u nda nga jeta. Goditja ishte sa e rëndë, aq edhe e papritur. Festë e hidhësi. Siç kris e thyhet copë-copë qelqi i skuqur në zjarr, po ta futësh në ujë të ftohtë, ashtu më mori krisje truri në ato çaste. Nuk dija që miku im të kishte vuajtur a të vuante nga ndonjë sëmundje... Mirëpo vdekja nuk pyet. Drapri i saj gjuan më të mirat e bimëve të kësaj bote. Kësaj here, këputi veprimtarin, gazetarin, poetin, prozatorin, diplomatin, prindin shembullor, atdhetarin e spikatur Gani Azemi.
Lindur më 1951 në Babush i Muhaxhirit, fshat pranë Prishtinës, në një familje me tradita atdhetare dhe nacionaliste, kundërshtare e vendosur ndaj pushtimit jugosllav, Gani Azemi u diplomua në Universitetin e Prishtinës, në degën e gazetarisë. Gjatë vitit 1977 ndërmori një sërë udhëtimesh në Europën Perëndimore dhe në SHBA, ku u njoh me shumë emigrantë shqiptarë që përpiqeshin asohere të ndërkombëtarizonin çështjen kosovare. Një vit më pas, dezertoi nga Armata Jugosllave dhe u vendos në Bruksel, ku jetoi deri ditën që u nda nga jeta. Si ish-pjesëmarrës aktiv i lëvizjeve studentore të 1968-s në Prishtinë, më 1981 u zgjodh Kryetar i Komitetit Kombëtar të Kosovës, themeluar nga disidenca shqiptare. Më 1989 ishte anëtar i Këshillit Nismëtar për formimin e Degës së LDK-së (Lidhja Demokratike e Kosovës) për vendet e Beneluksit, e cila u njoh zyrtarisht në vitin 1990 me kryetar Ismail Bytyçin dhe me përfaqësues diplomatikë pranë qeverive përkatëse Gani Azemin e Ramadan Gashin. Më 1993, ishte bashkëthemelues i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut ë Kosovë, të cilin e kryesonte Enver Hadri, vrarë në Bruksel më 1990, nga shërbimet sekrete jugosllave. Më pas, Ganiu përcolli me përkushtim shembullor të gjitha veprimtaritë në dobi të Çështjes Shqiptare, në përgjithësi, dhe të asaj Kosovare, në veçanti, derisa, me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës dhe me ngritjen e Ambasadës së saj në Bruksel, mori funksionet e Ministrit Këshilltar.
***
Gani Azemin e kam njohur në fund të vitit 1996, gjatë një takimi mes përfaqësuesve të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë dhe partive politike shqiptare më me potencë në vendet e Beneluksit, LDK dhe PLL (Partia Lëvizja e Legalitetit). Ndodhesha asohere për pushime në Bruksel dhe, për të marrë pjesë në takim, u ftova njëherazi nga ana e Ambasadës dhe nga dega e PLL-së, personalisht nga ana e ish-kryetarit, Guri Durollari. Gjatë bisedimeve, ndodhi një incident i vogël, gjithsesi i papranueshëm. Njëri ndër përfaqësuesit të PLL-së, i ri në moshë dhe i rrëmbyer asohere, por mjaft i matur dhe i pjekur sot, lëshoi një batutë, të cilën, me të drejtë, Ambasadori Trenova nuk mund ta kalonte pa reaguar. Ishte ndërhyrja e vendosur e të tjerëve, veçanërisht e Gani Azemit, që rendi i takimit të rikthehej dhe bisedimet të vijonin normalisht.
Fati e deshi që viti i mbrapshtë 1997, të më hidhte në emigracion, bash në Bruksel. Tashmë, përveç të tjerëve që takova gjatë pushimeve të 1996-s, Gani Azemin e konsideroja si një të njohur të kahershëm, me të cilin na lidhnin ideale të përbashkëta. Miqësia jonë vazhdoi gjatë të gjitha veprimtarive të pafund të bashkësisë shqiptare në Mbretërinë e Belgjikës, sepse Ganiu nuk mungonte asnjëherë, askund.
I paharruar do të mbetet për mua 20 marsi i vitit 2010, kur, bashkë me Gani Azemin dhe Albert Nikollën, ishim të ftuar në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Luksemburg. Unë, bashkëshortja ime, Fatbardha, Ganiu dhe poeti Jeton Kelmendi, moderator, udhëtuam me veturën e mikut tonë të përbashkët, fotografit Asllan Krasniqi. Nuk i ndiem ato 500 e ca kilometra vajtje-ardhje brenda ditës. Kishim çfarë të bisedonim, ndonëse me njëri-tjetrin, të gjithë bashkë, shiheshim shpesh. Por, mes miqsh të mirë, bisedat nuk shterin kurrë, sidomos kur mes syresh lartësohen ideale të përbashkëta kombëtare. Nuk gaboj të them se më shumë u lodhën duke folur atë ditë Ganiu dhe Asllani, pasi, së bashku, përpara se mua të më hidhnin valët e jetës në Belgjikë, ata të dy i kishin rënë Europës Perëndimore anekënd. Nuk kishin munguar thuajse në asnjë veprimtari kushtuar Çështjes së Kosovës, njëri me oratorinë e tij të shkëlqyer, tjetri me aparatin fotografik. Ditët e bisedimeve mes përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në Rambuje të Francës, zunë vendin kryesor në tregimet e tyre. Nga salloni i Librit Ndërkombëtar në Luksemburg, mes qindra fotografish të tjera, ruaj një ku unë e Gani Azemi kemi pozuar përpara flamurëve shtetërorë të Shqipërisë dhe të Kosovës. “Sot, tha Ganiu, ne të dy e vulosëm bashkimin shpirtëror. Nesër, na takon të gjithëve të heqim kufijtë e t’i falemi një flamuri të vetëm”.
***
Kam shkruar për librin e Gani Azemit “Letra fqinjit tim serb”, me rastin e promovimit nga ana e Shoqatës “Konitza”. Vëllim është një epistolar në gjuhën frënge, të cilit zor se i gjendet shembull në letërsinë shqipe. Nuk dua të përsëris vetveten, por as të rri pa sjellë disa fragmente të shkurtra nga më domethënëset “letra” dërguar fqinjit imagjinar serb, prej vitit 1989, deri me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. “U bënë më shumë se dhjetë vjet që nuk jemi parë. Për t’u shpëtuar qelive jugosllave, unë kam marrë rrugën e mërgimit që më ka hedhur në Bruksel, ndërsa ti je vendosur në kryeqytetin tënd të dashur. Shpesh jam matur të të shkruaj, por gjithmonë e kam shtyrë për më vonë... Pasi më 1981, një vajzë e re manifestuese shqiptare u vra prej ushtrisë jugosllave, unë kam pritur që një zë serb të indinjohej. Shpresoja, fqinj, që ky zë të ishte yti. Paskam pritur kot...” (Nëntor, 1989).
Mallëngjyese, por edhe kuptimplote është letra “Vdekja e nënës sime”, janar 1994. Pasi i kujton “fqinjit” pamundësinë për të shkuar në vendlindje, që t’i japë nënës lamtumirën e fundit, t’i mbyllë sytë dhe t’i hedhë një grusht dhe mbi varr, pasi ka sjellë edhe çaste intime të fëmijërisë, Ganiu e mbyll “letrën”: “U mbushën gjashtëmbëdhjetë vjet që jetoj në emigracion dhe që kam njohur mirë mjaft dhimbje: net të gjata plot ëndrra të frikshme, mëngjese me shi pa hasur njeri për t’u përshëndetur, malli për vendin tim që nuk më ndahet nga mendja. Por dhimbja ime sot është e papërballueshme, pasi ajo bart zinë për nënën time, larg të mive. Ti nuk mund ta kuptosh, fqinj, sepse jeton i lirë në vendin tënd”.
Vëllimi epistolar mbyllet me të njëzeteshtatën “letër”, “Pavarësi”, e vetmja e shkruar në vendlindje, më 17 shkurt 2008. Ganiu i shkruan “fqinjit”: “Kjo letër është e fundit që të drejtoj dhe dije se dëshiroj që Serbia të bëhet një demokraci e vërtetë, që ajo të kthehet drejt së ardhmes, drejt Europës. Sepse, në gjirin e Bashkimit Europian, vendet tona janë dhe do të mbeten fqinje. Janë gjeografia dhe historia që kanë dashur kështu. Dhe do të ishte mirë për të gjithë që ne të jetojmë në paqe. Tashti, fqinj, unë mund të them lamtumirë...”
***
Familjarët, miqtë dhe shokët bashkëmërgimtarë të të ndjerit Gani, organizuan fundjavën e kaluar “të pame”, ku erdhën e ngushëlluan bashkatdhetarë nga të katër anët e Belgjikës e më tej, të cilët përfaqësonin pa më të voglin dyshim të gjitha trojet etnike shqiptare. Sikush, në mos të gjithë, lanë shënimet e tyre në një libër përkujtimesh. Unë po sjell kujtimet gojore të dy prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të Gani Azemit.
Me lot në sy, ish i pari kryetar i LDK-së për Vendet e Beneluksit, biznesmeni i suksesshëm Ismail Bytyçi, tha: “Kemi humbur më të mirin. Ganiu ishte i aftë t’i përgjigjej mikut e armikut. Këtij të fundit, dhëmb për dhëmb, në çdo debat. Te Ganiu, reflektonin idetë e të pavdekshmit Rrugova për lirinë, pavarësinë e ardhmërinë e Kosovës. Besnik i Presidentit të parë kosovar, Gani Azemi diti të përfaqësojë interesat e LDK-së dhe të Kosovës, si përfaqësues i tyre në Vendet e Europës Perëndimore, duke u bërë kështu themelues i diplomacisë së ardhme të vendlindjes”.
Ramadan Gashi, Konsull i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, kujton pjesëmarrjen në të gjitha protestat e organizuara nga emigracioni shqiptar në vendet e Europës Perëndimore, kur lajtmotiv i protestave ishin thirrjet me dy gishta lart: “Berisha – Rugova, Shqipëria – Kosova”. “Falë organizatorëve, por sidomos falë përkushtimit dhe këmbënguljes së Gani Azemit, kujton zoti Gashi, pas vrasjes së Enver Hadrit në shkurt të 1990-s, në qershor – korrik, Kryesia e LDK-së dorëzoi në Parlamentin e Europës një Rezolutë, për hartimin e së cilës u angazhuan të gjitha forcat politike”.
Pejani Ibish Kelmendi, ish i burgosur politik nga regjimi i Enver Hoxhës, tha: “Ganiu nuk ka vdekur. Ai jeton këtu, mes nesh, në kujtimet tona, në këto “të pame”. Ai jeton me dy pëllumbat që ka lënë, Ardianin dhe Arbenin.
Dhe, që t’i mbyll këto shënime homazhi për mikun tim, dëshiroj të sjell një paragraf nga libri i Sabri Maxhunit – Novosella, i cili kujton ditën e lindjes së Ardianit, ndërsa ia ati, Ganiu ndodhej në SHBA me një delegacion të kryesuar nga Presidenti Rugova, me ftesë të senatorit amerikan Dioguardi. Zoti Maxhuni shkruan: “Gani Azemin e lajmëruan nga Belgjika se i kishte lindur djalë. Edhe Ibrahim Rugovën e njoftuan nga Kosova se i kishte lindur vajzë... Dr. Ibrahim Rugova u kishte thënë: ‘Edhe ne këtej na ka lindur djalë’, duke aluduar për djalin e Gani Azemit. Në tërë Kosovën ishte hapur fjala se Ibrahim Rugova kishte thënë se në Amerikë na ka lindur një djalë, duke kujtuar se ishte bërë ndonjë punë e mirë për Kosovën.”
E solla këtë paragraf që bijtë e Gani Azemit të mos harrojnë veprimtarinë atdhetare të të atit. Jeta vazhdon, ndonëse ka edhe vdekje.