Marrëdhëniet shqiptaro – serbe/Bataku propagandistik i Dushan Batakoviçit
Të vlerësosh një studim që vjen nga një vend si Serbia duhet të kesh gjithnjë dyshimin për vërtetësisë e tij. Kjo sepse në raport me shqiptarët, serbët janë manipulues të mëdhenj të historisë si dhe të vetë marrëdhënieve shqiptaro – serbe, qysh kur ato lindën (pra kur ardhacakët serbë zunë vend në territore që nuk i përkisnin atyre) e deri në ditët tona. Pavarësisht kësaj, çdo studim, mediokër apo profesional, pavarësisht dyshimit duhet parë e lexuar me qetësi, ndonëse është e qartë se është pjesë e propagandës serbomadhe. Së fundi është hedhur në qarkullim një libër në gjuhën shqipe me titullin “Qeveria serbe dhe Esat Pasha” me autor Dushan Batakoviç, i njohur në Serbi si historian, diplomat dhe ish këshilltar i presidentit të Serbisë.
Qysh në fillim përkthyesi i studimit, duke u magjepsur prej tij, vlerëson se ky hartim i përciptë shkollor qenka një “kontribut” për historiografinë shqiptare, ndërsa cakton vetë verdiktin se Esat Pasha “është figura më famëkeqe e historisë së re të Shqipërisë”, duke treguar me këtë rast vigjilencën revolucionare se kohët e fundit paska pasur “përpjekje për ta rehabilituar” figurën e tij. Pavarësisht se këto “përpjekje të drejtpërdrejta” apo të tërthorta nuk shihen gjëkundi, kjo prapë nuk rëndësi sepse me siguri ato duhet të ekzistojnë. Këtë verdikt e shpreh më së miri edhe vetë autori Dushan Batakoviç.
Është për të ardhur keq që ajo që quhet “ndjenja e inferioritetit” në marrëdhëniet me serbët shihet pikërisht në shënimin e përkthyesit të librit.
2 vitet e Esatit dhe 98 vitet e tjera të marrëdhënieve shqiptaro - serbe
Akoma kërkohet një “dele e zezë” që duhet të marrë të gjitha mëkatet e “tradhtarit”, në një kohë që pjesa më e madhe e jetës së shtetit shqiptar ka të tjerë protagonistë të rëndësishëm. Përveç kësaj ai më shumë është parë me syrin klasor si “përfaqësues i bejlerëve dhe agallarëve”.
Në historinë e Shqipërisë vendi që zë Esat Toptani është shumë i vogël. Në hapësirën e 100 viteve të shtetit shqiptar ai mund të lidhet me rreth 2 vjet aktivitet politik. Kjo lidhet për vitet e pakta që ai jetoi në Shqipëri, duke qenë më së shumti në këto drejtime:
1-Kontributor themelor në mbrojtjen e Shkodrës më 1912 – 1913.
2-Ministër në qeverinë e vitit 1914.
3-Kryeministër në vitet 1914 – 1915.
4-Aktor fitues në Luftën e Parë Botërore, por deri në fillim të vitit 1916 në Shqipëri.
5-Artikulues kërkesash në konferencën e paqes në Paris në vitin 1919.
Pra gjithë aktiviteti i Esat Toptanit në jetën e shtetit shqiptar lidhet vetëm me dy vite, 1913 – 1915. Periudha e dytë, ajo 1915 – 1920 është një kohë kur ai pothuaj është jashtë çdo ndikimi në jetën politike të vendit. Pra dy vite kanë mjaftuar për të gjetur “tradhtarit” dhe për të bërë shembullin “mëkatarit” në marrëdhëniet shqiptaro – jugosllave a thua se pas kësaj periudhe vijnë engjëjt në këto marrëdhënie.
Një miku im studiues i njohur më pat thënë një ditë që flitet gjithnjë për “intrigat e Esatit”, por kurrë nuk del njeri e të thotë se ku ishin këto intriga. A thua se Esati ishte plakë e vjetër që intrigonte me nusen e djalin për të ndërtuar raportin vjehërr – nuse e të tjera si këto.
Batakoviç për marrëdhëniet shqiptaro - serbe
Natyrisht Batakoviçi nuk ka në analizën e tij vetëm vendosjen e një njeriu si Esat Toptani, por të nxjerrë gjithë atë që mendon për marrëdhëniet shqiptaro – serbe nga fundi i shekullit të 19-të e deri në çerekun e parë të shekullit të 20-të. Qysh në fillim të analizës së tij Batakoviçi i shënjon marrëdhëniet shqiptaro – serbe “një histori konfliktesh” të cilat në pikat e tyre kulmore “kanë marrë tiparet e një konfrontimi politik afatgjatë dhe të një intolerance fetare që me kalimin e kohës kanë ardhur duke u thelluar”. Natyrisht më mbrapsht se kaq nuk mund të fillohet një analizë. A thua se Naçertanija nuk ekzistonte fare dhe aq më thellë akoma na paska qenë në mes edhe “çështja fetare”. Serbët si ardhacakë në Ballkan kanë qenë ato që kanë pretenduar trojet shqiptare në funksion të krijimit të një Serbie të madhe në përfytyrimin mitologjik të shtetit të Stefan Dushanit, një paragrabitqar i tyre. Rrallë mund të ndodhë që një vend të ketë pretendime ndaj një vendi tjetër sepse paraardhësit kanë qenë pushtues të një vendi. Çdo pretendim i serbëve ndaj Kosovës jo vetëm ka pasur qëllimin kryesor atë të grabitqarit, por edhe të përhapjes së gënjeshtrës për “vjetërsi” të ardhacakëve në këto treva. Serbët e ardhur nga Uralet e Rusisë nuk mund të pretendojnë kurrfarë lashtësie për trojet shqiptare. Lashtësia e tyre gjendet vetëm në Urale.
Pavarësisht se shqiptarët kurrë nuk kanë bërë luftëra fetare, Batakoviçi përsërit tezën e “luftës së shenjtë” a thua se konvertimin me hekur të skuqur në ballë e kanë shpikur shqiptarët e jo serbët. Artikulimi i tezës ndarëse që i paraqitet shqiptarët si të privilegjuarit e Perandorisë Osmane dhe serbët si të vuajturit e saj, detyrimisht thekson luftën “fetare”. Bashkimin e 4 vilajeteve osmane në një shtet shqiptar, ai e quan problem të madh sepse për të paskan pasur mëtime të gjitha fuqitë ballkanike. Kjo pavarësisht faktit se 98% e popullsisë në këto hapësira ishin të banuara me shqiptarë.
Shprehja “Shqipëri e madhe”, e përdorur prej tij, por jo vetëm prej tij, është vetëm një shprehje e dalë nga fqinjët grabitqarë të Shqipërisë. Shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre kanë kërkuar vetëm Shqipërinë etnike, pra të ndërtojë shtetin (njësinë politike) aty ku kanë njësinë kombëtare. Asnjëherë shqiptarët nuk kanë pasur Naçertanjia apo Megali Ideja, siç vërejmë te fqinjët tanë, të cilët kanë punuar realisht dhe kanë përfunduar shtete në format e Serbisë së Madhe dhe Greqisë së Madhe sikurse janë realisht. Asnjëherë shqiptarët nuk kanë menduar për “Shqipëri të madhe” që do të nënkuptonte p.sh. të kishin brenda kufijve të tyre p.sh. Beogradin, Athinën, etj. Në këtë kuptim shprehja “Shqipëri e madhe” do kishte kuptim vetëm nëse do imagjinohej se Beogradi e Athina do bëheshin pjesë e shtetit “të madh” shqiptar.
Konsiderata të përgjithshme
Në studimin e Batakoviçit jepen edhe disa konsiderata të përgjithshme mbi raportet ballkanike të kohës apo mbi marrëdhëniet shqiptaro – serbe. Ai shpreh keqardhjen që sukseset e “jashtëzakonshme të aleatëve ballkanikë kundër Turqisë”, ekuilibri i forcave në Ballkan varej nga fuqitë. Batakoviçi do dëshironte që të mos kishin fare ndikim fuqitë e mëdha të kohës (dje dhe sot), në mënyrë që të mos kishte fare Shqipëri dhe serbët si pushtues të merrnin çfarë donin nga territoret etnike shqiptare. Nëse deri dje ishte Austro – Hungaria fuqia e madhe që nuk lejoi të shpërbëhej Shqipëria, në kohët e mëvonshme këtë rol e kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Natyrisht dhimbja që përjeton Batakoviç është e madhe pasi teza “Ballkani – ballkanasve” (pra pa fuqitë e mëdha që kanë përkrahur shqiptarët) do u shërbente serbëve për ta zhdukur fare shtetin shqiptar.
Që Shqipëria e 1913-s u krijua nga Austro – Hungaria nuk është as turp dhe as ndonjë fakt i paditur, pasi interesi i shqiptarëve u bashkua me atë të këtij shteti të madh. Batakoviçi e quan normale sulmin e aleancës grabitqare mbi trojet shqiptare në vitet 1912 - 1913. Shqipëria sipas tij paska shërbyer si “pritë” ndaj objektivave të Serbisë në rajon, pavarësisht se vendi ynë u shtri në një territor të kufizuar të hapësirës së vet etnike. Është e kuptueshme pra që Batakoviçi shpreh keqardhjen që shqiptarët arritën të krijojnë shtetin edhe në këtë hapësirë. Teksa thotë pa etikë se “trupat serbe morën”, mund të shkruante se “pushtuan” krahinat në fjalë të Shqipërisë dhe askujt tjetër.
Naçetanisti i vogël Batakoviç
Fjalori i përdorur nga Batakoviçi është shumë interesant pasi na shkruan për “Epir të Veriut” (emërtesë e shpikur nga grekët pas vitit 1913), “Serbinë e vjetër”, etj. Kjo “Serbia e vjetër” nuk është gjë tjetër veçse territori i Kosovës i pushtuar nga Stefan Dushani dikur në kohën e persekutimit serb ndaj popullsisë shqiptare.
I ashtuquajturi “ndikim helen” në jug të Shqipërisë nuk është gjë tjetër veçse paraqitja e andartëve grekë si “popullsi vendase” në vitet 1913 - 1914.
Shqipëria e varfër e sakatuar nga krimet serbo – greke në vitet 1912 – 1913, sipas Batakoviçit paska qenë me fillim e Luftës së Parë Botërore “kërcënim në rritje” për Serbinë. Ec e merre vesh sesi mund të jetë “kërcënim në rritje” një vend i masakruar e i djegur krejt. Imagjinoni sikur të ishte vend i lulëzuar çfarë tmerri do kishin këta.
Duke shkruar në këtë mënyrë, Batakoviçi vetëm sa është paraqitur pa stil si një naçertanist i vogël serb. Burimet e tij të informacionit janë shumë të vogla. Në shumë raste citon shkrimet e veta. Në raste të tjera citon një studiues kosovar, kur për dokumente që lidhen me Serbinë duhet t’i referohet arkivit të shtetit të vet.
Batakoviçi shpik deklaratën e pavarësisë në turqisht
“Shteti i ri shqiptar ishte një mashë në duart e Vjenës. Ministrat e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit u detyruan të hartonin deklaratën e pavarësisë në turqisht dhe t’i shkruanin dispozitat e saj me shkronja turke, duke qenë se asnjë prej anëtarëve të qeverisë nuk dinte të shkruante e të lexonte me alfabetin me shkronja latine” – shkruan Batakoviçi.
Natyrisht ai nuk e di ose nuk do ta shkruajë se nuk ishin ministrat e shtetit shqiptar ato që nënshkruan aktin e pavarësisë, por delegatët. Së dyti akti i pavarësisë është i gjithi në gjuhën shqipe dhe vetëm një dispozitë e vogël është në osmanishte. Nënshkrimet e tjera janë vetëm në gjuhën shqipe. Mos vallë duhet të habitemi me gjëra të tjera?
Esatin e kanë bërë të tjerët mbret
Ndryshe nga të tjerë Batakoviçi e pranon faktin se Esat Toptani arriti të luftojë në Shkodër deri sa konferenca në Londër mori vendim pro Shqipërisë. Më tej akoma Batakoviçi shkruan se Esati “paska informuar” mbretin malazez për planin e tij për t’u vetëshpallur “mbret” i Shqipërisë. Esati po të ishte kaq “i dhënë” pas mbretit malazez e kishte fare të lehtë ta dorëzonte Shkodrën para 21 marsit 1913, pra para se ky qytet t’i ngelte përfundimisht Shqipërisë. Interesante është se ideja për ta bërë Esatin princ apo mbret është e shtypit dhe “studiuesve”, por asnjëherë e vetë Esatit. Ky i fundit e dinte shumë mirë se dy çështje kryesore atë të kryetarit të shtetit dhe të kryeqytetit nuk mund ta caktonte faktori shqiptar. Esati e kishte të qartë mbretin do ta caktonte Europa dhe kryeqytetin e Shqipërisë do ta caktonte mbreti. Në këto dy pika asnjëherë nuk ka pasur dyshime apo kërkesa të tij. Ai u caktua kryetar i dërgatës që i ofroi Wiedit kurorën shqiptare, pra si person që e njihte autoritetin e tij. Esati u bë kryeministër në shtator 1914. Ai kishte të gjitha mundësitë të vetëshpallej mbret pasi kishte filluar Lufta e Dytë Botërore. Esati, për inat të Batakoviçit u bë kryeministër pra dhe nuk u bë mbret. Në kulmin e pushtetit Esati nuk ka shfaqur dëshirën që ia kanë veshur të tjerët, por ka qëndruar te posti i kryeministrit. Ndryshe nga kjo Batakoviçi e quan “guvernator” pozicionin e Esatit në këtë kohë. Ai e pranon faktin se aleanca midis qeverisë serbe dhe Esatit “nuk u zyrtarizua me ndonjë akt të veçantë”. Esati nuk ka asnjë memorandum apo kërkesë të ketë kërkuar të jetë mbreti i Shqipërisë. Esati kaloi nëpërmjet një sërë kontradiktash. Në fund të Luftës së Dytë Botërore marrëdhëniet e tij me Italinë rezultojnë të prishura. Sipas studiuesit Harris Silajxhiç, Esati ndonëse ishte bashkuar me Antantën, nuk luftoi kurrë kundër Austro – Hungarisë në Shqipëri. Ky veprim i tij natyrisht është veprim i studiuar dhe realist.
Esati në Luftën e Parë Botërore
Si figura më e fuqishme në vend, Esati Toptani u zgjodh të kryesonte delegacionin shqiptar në Neuwied të Gjermanisë 21 shkurt 1914. Në qeverinë që zgjodhi Wiedi, Esati mori dy postet më të rëndësishme, atë të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të Luftës. Oborri i Wiedit mbizotërohej nga një luftë e ftohtë midis dy fuqive që kishin mundësuar pavarësinë e Shqipërisë, Austro – Hungarisë dhe Italisë. Të dy fuqitë mundoheshin të zgjatnin ndikimet e tyre sa më shumë. Esati shihej nga austro-hungarezët si proitalian. Wiedi nga ana tjetër nuk ishte i aftë të kuptonte e vepronte shpejt në situatat që po krijoheshin. Oficerët holandezë prireshin më tepër nga austro-hungarezët. Më 8 maj 1914 Esati urdhëron për një veprim ushtarak majorin Sluis, i cili i deklaroi mosbindje. Sluis i tha hapur se nuk njihte autoritet tjetër veç mbretit. Si ushtarak i vjetër që ishte Esati kërkoi dorëheqjen te Wiedi, por ky nuk ia pranoi. Esati kishte vullnet për të shtypur rebelimet që po nisnin në vend. Por pak ditë më vonë Esati u akuzua nga Wiedi si “komplotist” pa asnjë fakt. U detyrua të largohej nga Shqipëria me ndërmjetësinë e Italisë. U kthye në Shqipëri kur vendi ishte përfshirë në rebelimin e Shqipërisë së mesme. Krijoi një qeveri dhe shtypi rebelimin e Haxhi Qamilit. Nëse në histori kritikohet dukuria “haxhi qamil”, nuk thuhet se kësaj i dha fund Esat Toptani. Përkundër dëshirës së tij Esati u bashkua me Antantën në vitin 1915, duke qenë i vetmi shqiptar pro saj. Në këtë aleancë ishte edhe Serbia, por Esati kishte hyrë në aleancë për interesat e tij dhe jo të Serbisë. Esati pranoi kësisoj t’i shërbejë Antantës. Esati ishte në këtë luftë aleat i Serbisë jo më pak nga ç’ishte aleat i Francës dhe Italisë.
Me hyrjen e ushtrisë austro – hungareze në Shqipëri, Esati u largua në janar 1916 me rreth 400 përkrahës drejt Italisë. Nga Roma shkoi në Paris e më vonë në Selanik.
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ai duhej të merrte pushtetin si kudo, por nuk ngjau kështu.
Esati në mbarim të luftës është armiqësuar me Italinë dhe Francën. Edhe me Serbinë pozita nuk është e mirë. Ai shikohej për t’u eliminuar. Italia e kishte zgjidhur çështjen në Shqipëri duke përkrahur qeverinë e dalë nga kongresi i Durrësit. Edhe Franca nuk e shikonte Esatin si pjesë të pushtetit shqiptar. Franca përkrahte Italinë në këtë kohë mbi mandatin e mundshëm të saj mbi shtetin shqiptar, ndërsa forcat e Esatit u shpërndanë më 12 tetor 1918.
“Marrëveshja” Pashiç - Toptani
Nëse Pashiç ka bërë politikë me Esatin, pse ky nuk paska bërë politikë me Pashiçin për interes të vet. Pavarësisht kësaj pretendohet një “marrëveshje” me Pashiçin. Nuk dihet pse Pasiçi nuk kërkon zbatimin e saj pasi lufta mbaron. Batakoviçi nuk referon kësisoj për marrëveshjen e pretenduar të vitin 1914 por i referohet një shkrimi të botuar nga një studiues kosovar në kohën e komunizmit. Nëse do kishte marrëveshje të tillë, Esati pati plotë 15 muaj të bënte veprimet sipas saj. Nuk rezulton të jetë bërë asnjë.
Në fund të luftës sipas Batakoviçit, Esati i paska kërkuar Pasiçit që Shqipëria nuk duhej të humbiste kufijtë e caktuara në vitin 1913. Pra vetë Batakoviçi harron “marrëveshjen” e vitit 1914 dhe na nxjerr një Esat që nuk paska qenë kundër Shqipërisë së 1913-s.
Takimi Wilson – Toptani në dy plane
Ish-kryeministri shqiptar Esat Toptani duke qenë aleati i vetëm shqiptar në krah të Antantës gjatë Luftës së Parë Botërore arriti të takohej me presidentin amerikan. Me këtë cilësi, ai kishte mundur ta radhiste veten në anën e fituesve të kësaj lufte si dhe të siguronte një përfaqësim të përligjur në Konferencën e Paqes. Toptani mbante korrespondencë të rregullt me sekretariatin e Lidhjes së Kombeve, jepte vazhdimisht intervista si dhe takohej me personalitete të ndryshme politike. Libri i Harris Silajxhiçit “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”, Tiranë 1999, paraqet tezat e takimit midis Esatit dhe Wilsonit.
Në mes të prillit 1919, Esat Toptani u takua me presidentin amerikan Wilson, të cilit i tha se kishte luftuar në radhët e aleatëve për parimet e shpallura të tij (Wilsonit) dhe më e pakta që ai priste, ishte që Shqipëria të mbetej në kufijtë e 1913-s. Esati kërkoi që presidenti amerikan ta pranonte mandatin amerikan mbi Shqipërinë duke shfaqur besimin e shqiptarëve ndaj SHBA-së. Në një promemorie që Esat pashë Toptani i drejtonte Konferencës së Paqes, më 16 prill 1919, ndër të tjera kërkonte mbetjen në fuqi të vendimeve të Konferencës së Londrës së vitit 1913 si dhe riformulimin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, me një përfaqësues të SHBA-së, në vend të dy fuqive humbëse.
Mirëpo po të lexosh Batakoviçin, del se gjoja Esati në një mesazh drejtuar presidentit Wilson paska kërkuar se vetëm një shtet jugosllav mund të garantonte shtetin shqiptar.
Esati kishte dalë nga skena pasi ishte krijuar Jugosllavia dhe si shqiptar nuk mund të paraqiste asnjë pretendim në dëm të atyre që shtetet e tjera kishin vendosur.
Presidenti Wilson e njohu në atë kohë Esatin si përfaqësues të shtetit shqiptar, ndërsa qeveria franceze e kishte tërhequr përfaqësuesit e saj pranë Esatit.
Esat Toptani paska qenë më i fortë se presidenti Wilson?
Në lidhje me fundin e jetës së Esatit prapë ka disa interpretime të pasakta. Batakoviçi thotë se delegacioni shqiptar që shkoi nga Tirana në Paris për të takuar Esatin i ofroi atij postin e kryeministrit. Në fakt delegacioni i përbërë nga katër vetë nuk e takoi fare Esatin, sepse ai u vra. Esati nuk kishte pretenduar postin e kryeministrit, por në vazhdim të kongresit të Lushnjës një përfaqësim që mund të bisedohej çfarë mund të ishte. Pra nuk shtrohej fjala as për post konkret, ndërsa as që bëhej fjalë për t’u bërë mbret.
Vrasja sipas Batakoviçit ishte bërë me idenë e “aleatit” të Serbisë që po komplotonte kundër Shqipërisë. Dihet që prej marsit 1920 fati i Shqipërisë ishte caktuar nga presidenti amerikan Wilson. Vrasja e Esatit ishte për konkurrencë politike dhe nuk ka lidhje të tjera. Esati nuk kishte as tagër dhe as mund të bënte politikë krejt i vetëm në një vend larg Shqipërisë. Sipas Batakoviçit, Esati na del më i fortë se presidenti amerikan në përcaktimin e gjeopolitikës botërore. Pra Batakovçi na mbush mendjen njësoj si historiografia komuniste se Esati na u vra për “marrëveshje” me Serbinë.
Nuk njihen raste që i vrari të ngjallet përkohësisht e të thotë ku do ta varrosin. Esati nuk e kishte në dorë të caktonte parcelën e varrimit në Paris.
Mbyllje
Nëse do kërkoheshin figura të politikës së Shqipërisë që i kanë bërë dëm vendit të tyre në raport me Serbinë, ka figura që kanë udhëhequr vendin për 50 vjet. Shembulli i bashkëpunimit të serbët mbetet Enver Hoxha. Caktim të udhëheqësit prej Beogradit, ndërtim i shtetit sipas modelit jugosllav, bashkim doganor, njësim të monedhës, boshatisje të tregut, vrasje në masë të kosovarëve (p.sh rasti i Tivarit, por edhe dënimet politike), etj, janë vepra që nuk lidhen me Esat Toptanin, “tradhtarit më të madh të Shqipërisë”, por lidhen me një emër tjetër.
...