E Martë, 3 Nëntor 2026

Homazhe për ikonën e kinematografisë shqiptare, “Artisten e Popullit” Margarita Xhepa

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Homazhet për “Artisten e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa u mbajtën sot, në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Personalitete të artit e kulturës, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë dhe politikanë, por edhe qytetarë të shumtë që u frymëzuan dhe morën prej artit të saj, morë pjesë në ceremoninë e mbajtur për t’i dhënë lamtumirën e fundit, yllit të kinematografisë shqiptare.

Në fjalën e tij për mediet, Ndriçim Xhepa, vlerësoi mënyrën se si po respektohet sot nëna e tij e ndjerë nga njerëz të fushave të ndryshme, por edhe nga qytetarët e thjeshtë.
“Kjo është kënaqësia që marrin familjarët dhe shpirti i saj atje lart”, tha Ndriçim Xhepa.

Aktori i mirënjohur shtoi se, Margarita Xhepa e mbylli jetën në mënyrë normale, pavarësisht problemeve shëndetësore të dy muajve të fundit.

“Lodhjet e viteve bëjnë të vetën. Kishte një natyrë të çuditshme. Në disa biseda ajo thoshte se ndoshta në skenë nuk kam mundësi më të dal, ndërsa tek filmi e kishte ende një dëshirë se mund të bënte një tjetër rol”, u shpreh Ndriçim Xhepa.

Roli i fundit që bëri Margarita Xhepa ishte në filmin “Bolero në vilën e pleqve” dhe që përkoi me mbylljen e jetës së saj.

Mes shumë figurave publike, nga arti dhe politika për mediet ka folur dhe aktori i njohur Timo Flloko.

Flloko ka luajtur disa role me Margarita Xhepën dhe theksoi se ndan kujtime të rralla. “Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë”, tha Timo Flloko.

Aktorja Tinka Kurti foli shkurtimisht për media duke u shprehur se Xhepa ishte shoqe e mikeshë, e se ndjen dhimbje të madhe. “E kisha vajzë, shoqe, e kisha mikeshë. Nuk kemi se çfarë bëjmë, unë jam më e madhe se ajo. Duhet të hesht, kam dhimbje të madhe shumë”, tha Tinka Kurti për mediet.

Regjisori i njohur Mevlan Shanaj, i njohur për bashkëpunimin e tij me Margarita Xhepën, ka shprehur mirënjohje dhe nderim të thellë për figurën e saj.

“Margarita ishte një njeri që ka marrë vetëm dashuri nga të gjithë. Nuk ka njohur ndonjë fjalë të keqe, vetëm dashuri dhe respekt. Ajo ishte një aktore e jashtëzakonshme, një njeri i madh. Margarita ishte unikale, emri i saj është një sinonim i bukurisë dhe hijes, si një margaritar”, tha regjisori Shanaj.

“Margarita pati fatin ta jetojë jetën bukur edhe në aspektin njerëzor, edhe në aspektin profesional. Është simboli i bukurisë, i dashurisë dhe i mirësisë njerëzore. Krijoi imazhin perfekt të gruas në të gjitha dimensionet: si nënë, si grua, si motër, si kolege. Unë jam me fat që kam rrugëtuar bashkë me të edhe profesionalisht”, tha sot pas homazheve aktorja e teatrit dhe kinematografisë, Luiza Xhuvani.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ka shprehur ngushëllime për ikjen e artistes së madhe, duke theksuar rëndësinë e veprës së saj të paharruar për kulturën dhe artin shqiptar.

“Margarita Xhepa la një pasuri të jashtëzakonshme që do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar dhe e trashëguar përmes pasardhësve të saj, të cilët janë gjithashtu krenaria e kombit dhe artit tonë”, ka thënë ai.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u shprehu ngushëllime djemve, Ndriçimit dhe Sokolit, si dhe të afërmve e gjithë dashamirësve të aktores së ndjerë.

“Ashtu siç kishte emrin, ashtu ishte edhe Margarita Xhepa, një margaritare e skenës dhe ekranit shqiptar. Një artiste që i dhuroi dinjitet dhe thellësi artit tonë, duke lënë pas një trashëgimi artistike të rrallë, e cila do të mbetet burim frymëzimi për breza të tërë artistësh”, u shpreh ministri Hasani.

Në homazhe mori pjesë edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, e cila tha se “Margarita Xhepa që do të mbetet një yll që do të ndriçojë gjithmonë në panteonin e artit shqiptar”.

Ndërsa ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se “homazhet për yllin Margarita sot m’u dukën më shumë si një skenë filmi ku ajo është duke luajtur një rol, se sa një realitet ku Margarita nuk do të jetë më mes nesh. Filmi mbaron dhe Margaritën do ta shoh sërish në skenën apo ekranin tjetër, ose në takimin kulturor te radhës ku ajo s’mungonte asnjëherë, krah Tinkës e artistëve të tjerë”.

“Kjo ndjesia që përjetova sot është realiteti i vërtetë i jetës dhe veprës së një artisteje si AJO. Lum ky vend e kjo skenë që të kishte, të ka dhe do të të ketë përgjithmonë. Lum ne që të njohëm e të prekëm nga afër në të gjallë”, tha Kumbaro.

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të aktores së mirënjohur “Artiste e Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, Margarita Xhepa, e cila ndërroi jetë dje në moshën 91-vjeçare.

Pas homazheve në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku shkroi edhe një mesazh në librin e ngushëllimeve, në një prononcim për mediet, Berisha shprehu “ngushëllimet më të thella, por edhe mirënjohjen e pakufishme për kontributin e jashtëzakonshëm të Margarita Xhepës në shtatë dekada, sa askush tjetër në skenën dhe filmin shqiptar”.

“Margarita Xhepa nuk është më, por do të mbetet përjetë e gjallë në memorien e atyre që ndoqën me aq admirim interpretimet e saj. Do të mbetet e gjallë në memorien e artit dhe kulturës shqiptare”, tha ai.

Homazhe kreu edhe sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i shoqëruar nga zëvendëspresidentja e PL, Erisa Xhixho.

“Ylli i papërsëritshëm i skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa do të mbetet përjetë e paharruar në memorien e artit tonë dhe të gjithë artdashësve. Nderim me përulje dhe mirënjohje të thellë për kontributin e vyer për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar, si dhe për trashëgiminë e jashtëzakonshme dhe unike që Margarita Xhepa mjeshtërisht u la brezave të artistëve të rinj”, tha Tedi Blushi pas homazheve.

Trupi i ikonës së kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa do të prehet në varrezat e Sharrës.

Margarita Xhepa u nda nga jeta në orët e para të datës 3 prill, si pasojë e problemeve me mushkëritë. Ajo ishte 91 vjeç.

Me interpretimet e saj, Margarita Xhepa spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës. Deri në vitet e fundit të jetës, Xhepa iu kushtua artit. Për vlerat e larta dhe arritjet në karrierën e saj artistike, Margarita Xhepa mbante titullin “Artiste e Popullit”. Gjithashtu ishte nderuar me dekoratën “Nder i Kombit” dhe me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.

Homazhe në TKOB për “Artisten e Popullit”, Margarita Xhepa 1 nga 36

/r.e//a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›