Homo sovjeticus

Në ditën në të cilën Igor Korolkov lexoi librin e shkrimtarit dhe fituesit rus të çmimit Nobel për letërsi, Alexander Solschenizyn, jeta e tij ndryshoi plotësisht.
Ishte vitit 1985, ai ishte 25 vjeç dhe sa po kishte filluar të punojë si inxhinier, në një ndërmarrje sovjetike. Sistemi i madh totalitar kishte filluar të luhatej.
“Për ne ishte kjo një kohë e shokut dhe e këndelljes. Filluam të porosisim revista, të cilat më herët ishin të ndaluara. Një botë krejt e re po hapej para nesh. Besuam se me presidentin Mikhail Gorbachov për ne do të fillonte një jetë më e mirë”, rrëfen Korolkov.
Të këtij mendimi ishin edhe sociologët. Në vitin 1988, Juri Levada dhe kolegët e tij filluan ta hulumtojnë transformimin e shoqërisë totalitare.
“Atëbotë kishim iluzionin se gjërat do të lëvizin shpejtë dhe pa komplikime. Të rinjtë nëpër qytetet e mëdha ishin liberal dhe pro-perëndimor. Mendonim se çdo gjeneratë e re do të ndryshonte dhe se ne vetëm do të duhej të regjistronim këto ndryshime”, rrëfen profesori Lev Gudkov, i cili që nga vdekja e Levadas e kryeson Institutin sociologjik, Levada.
Por lloji i njeriut sovjetik u dëshmua si mjaft rezistent. Tani studimet e Institutit janë të përqendruar në atë se si po arrin “homo sovjeticus” të riprodhojë në vazhdimësi vetën dhe të bartet madje edhe nga gjeneratat, të cilat kanë lindur pas periudhës së Bashkimit Sovjetik.
Gatishmëria për t’iu përshtatur pushtetit, ndjenja se janë të varur nga shteti, është karakteristika kryesore e homo sovjeticus.
“Ky njeri është formësuar nga një shoqëri, e cila është ndërtuar në mënyrë hierarkike. Në kokën e tij, kufijtë e së mundshmes nuk varën nga talenti dhe kualifikimi individual, por nga vendi i tij në hierarki. Për këtë arsye nuk dalin në sipërfaqe vlerat universale dhe normat etike”, shpjegon Gudkov.
Njeriu sovjetik është mosbesues, e për këtë arsye edhe cinik. E gjitha strategjia e tij jetësore është që t’i përshtatet trysnisë nga jashtë dhe për të mbijetuar. Besim ka vetëm në anëtarët e familjes dhe miqtë e ngushtë.
Lidhjet me komplekse shoqërore i shikon me mosbesim, gjë që vështirëson edhe përpjekjet për themelimin e partive politike.
“Një njeri, i rritur në një sistem totalitar, është i gatshëm që të demonstrojë mbështetje për pushtetin, edhe pse ndoshta nuk beson në të. Ai nuk ka arsye për të qenë krenar. Dhe kjo ndjenjë e dobësisë individuale shprehet me agresion-kundrejt Perëndimit apo grupeve tjera, të cilat dëshmojnë idealizëm apo besojnë në vlera”, thekson Gudkov.
Ky kompleks i njerëzve po shfrytëzohet nga pushtetarët: ka tashmë disa vjet që në medie dhe sistemin shkollor ngritët lartë e kaluara heroike, e cila bazon mbi kultin e fitores së sovjetikëve kundër nazizmit.
Për pjesën më të madhe të rusëve, është kjo ngjarje më e rëndësishme në shekullin e 20-të. Por studimet dëshmojnë se edhe gjenerata, e cila ka lindur pas vitit 1990, ka tipare të ngjashme.
Olga Shilova e di këtë me saktësi. Ajo ligjëron literaturën ruse, në një shkollë private në Moskë. 16 vjeçarët në klasat e saj kanë lindur nga mesi i viteve të 90-ta, në kohën kur Bashkimi Sovjetik veç ishte histori.
Në të shumtën e rasteve, janë fëmijë me prindër të pasur. Shumica prej tyre dëshirojnë të ndjekin rrugën e prindërve dhe pranojnë haptazi se do të pranonin edhe ryshfet.
“Më nevrikos fakti se nuk janë në gjendje të krijojnë një qëndrim të tyre, që të kenë mendimet e tyre. Faqja e parë, të cilën ata e hapin në internet, është e vërteta për ta”, thotë Shilova, duke shtuar se qëllimi i saj është që të ndihmojë që nxënësit të mendojnë në mënyrë të pavarur.
Ajo thotë se në Rusi nuk mund t’i besohet asnjë politikani dhe partie, pasi që shumica prej tyre kanë qenë komunistë.
Në qytetet e mëdha ekonomia e tregut është më e pranishme dhe varësia nga pushteti më e vogël. Për këtë arsye, vetëdija politike në qytete po ndryshon më shpejtë.
Megjithatë, dy e treta e popullatës së Rusisë jeton në fshatra dhe qytete më të vogla. Pikërisht këtu, në këto zona të depresionit dhe varfërisë, po riprodhohet homo sovjeticus.
Lidhja shpirtërore me strukturat e vjetra, vërehet pikërisht tek studentët nga zonat rurale, thotë Gudkov.
Vlerësohet se vetëm 10 deri në 12 për qind të rusëve kërkojnë ndryshime. Përqindja në mesin e të rinjve është paksa më e lartë, rreth 15 për qind.
“Në qytetet e mëdha bashkohet potenciale i tyre, të cilët kërkojnë reforma, por ai shtypet nga konservatorët që vijnë nga periferia”, thotë Gudkov.
Zhvillime të njëjta mund të vërehen edhe në shtetet tjera të ish-bllokut lindor, ku sociologët gjithashtu flasin për homo sovjeticus.
Por në Poloni, Çeki apo Hungari, ekzistojnë lëvizje të fuqishme kundërshtare, siç janë ato anti-sovjetike.
Bëhet fjalë për lëvizje anti-ruse, të cilat kanë lehtësuar kalimin drejtë shoqërive pluraliste.
“Shoqëritë në këto shtete ishin më solidare. Në këtë mënyrë u tejkalua faza e vështirësive ekonomike. Transformimi gjithmonë përcillet me recesion, rritja fillon pas krijimit të institucioneve të reja”, thotë Gudkov.
Por struktura e pushtetit në Rusi ka mbetur pothuajse e njejtë, përkundër ndryshimeve të jashtme. Rregulli shoqëror karakterizohet nga gjykatat e varura, policia e politizuar dhe censura e medieve.
Në intervistën e tij të fundit, Juri Levada pat deklaruar:”Gjatë epokës sovjetike, mendova se do të na nevojiten 300 vjet, për të dalë nga totalitarizmi. Me fillimin e Perestrojkës, mendova se do ta arrijmë këtë pas 75 viteve. Por me fillimin e epokës Putin, po shoh se do të na nevojiten së paku 150 vjet”. (Die Welt)