E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hooper: Biden do jetë njeriu kryesor për Ballkanin

Uashington - “Nënpresidenti Biden është duke dhënë shenja brenda administratës, se ai do të marrë rolin udhëheqës në politikat mbi Ballkanin, ai do të jetë njeriu kryesor në këtë drejtim”, deklaron në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish-diplomat amerikan.

Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë do të thotë kjo vizitë e Bidenit për rajonin, Hooper, ka thënë se, ai do të vinte po të mendonte se rajoni është i qetë, stabil dhe pa probleme.

“Është e qartë se vjen pasi që sheh shenja jostabiliteti dhe disa probleme. Gjurmët e luftërave të para 10-20 vjetëve, pasojat dhe implikimet e tyre ende nuk janë shlyer tërësisht, situata nuk është plotësisht stabile dhe nuk ka ende eukuilibër në rajon”, ka thënë Hooper.

Biden, sipas tij, po vjen ta shohë situatën vetë dhe “veçanërisht njerëzit në Kosovë duhet ta kuptojnë se Biden është duke dhënë shenja brenda administratës, se ai do të marrë rolin udhëheqës në politikat mbi Ballkanin, ai do të jetë njeriu kryesor në këtë drejtim”.

“Presidenti Obama është e qartë se nuk ka ndonjë sfond të veçantë mbi çështjet e Ballkanit, nuk është se është i interesuar mbi to veçanërisht, duke qenë se është më i përqendruar në problemet financiare, ekonominë, pastaj Pakistan, Afganistan, në Irak dhe çështjet arabo-izraelite. Nënpresidenti Biden do të jetë politikë-bërësi i lartë në Ballkan dhe kjo mendoj se është shumë mirë për rajonin”, ka thënë Hooper.

Lidhur me mesazhet që do t’i sjellë Biden në Ballkan, Hooper mendon se ai dëshiron ta sinjalizojë Bashkimin Evropian se amerikanët do të jenë më të angazhuar në krahasim me periudhën e presidentit Bush. “Mendoj se Bideni po sinjalizon së pari se “ne amerikanët do të jemi më të përfshirë, prandaj ju, Bashkimi Evropian, duhet të na llogarisni më shumë, duhet të ketë një sërë mirëkuptimesh si të trajtohen këto çështje”, ka thënë ndër të tjera ai.
/REL/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›