Hovi për të mpirë trurin
Ora 10.00. Mëngjesi i disa fëmijëve dhe adoleshentëve në një nga rrugët kryesore të ish- Bllokut, te Brigada VIII, ku gjendet Nova Gaming Center, fillon në një ambient që i ngjet një bodrumi më tepër se një salle lojërash. Në dhomën që ndriçohet nga një dritë e dobët blu, të apasionuarit pas lojërave shohin njëri-tjetrin dhe objektin e tyre të argëtimit vetëm përmes dritës së ekraneve. Ambienti i mbyllur të merr frymën pak e nga pak, por askujt nuk i bën përshtypje. Të gjithëve u pëlqen ai lloj intimiteti i errët që ofron Nova. E thërrasin shoku-shokun me emërtime fyese dhe kur gjuha u thahet, tjetri është dele rudë, kanarinë, patok, i lodhur.
Nuk përtojnë të vjellin nga barku gjithfarë fjalësh, që i përsërisin deri në mërzi.
U duket mundim ti shqiptojnë fjalët dhe fjalitë deri në fund. Është bërë i natyrshëm për syrin dhe veshin tanimë komunikimi me shkurtime. Nuk bëjnë më përshtypje fjalët KLM (Kalofsh mirë), FLM (Faleminderit), por janë shtuar në përdorimin e shqipes edhe fjalë të huaja si WTF (Çfarë dreqin…), Push (Shtyj), apo shtrembërime edhe më të mbrapshta Më pau në vend të Më pa, Më pëlq në vend të Më pëlqen, Hikë se na pau në vend të Ik se na panë, Kush o ky në vend të Kush është ky që i kanë rrënjët te ai dialekt që iu vjen për mbarë ta përdorin të rinjtë dhe adoleshentët në Tiranën e sotme. Ndihet më simpatikë, më të pëlqyeshëm për tjetrin.
Shpesh e ndiejnë veten protagonistë. Ja disa fjali standarde që i njohin të gjithë ata që kanë shkelur të paktën njëherë në salla lojërash: Nuk kam më plumba, Kemi hyrë në bazë Ik sa më shpejt se na vranë, Hape rrugën se desh vdiqa, Ulu shpejt poshtë me CTRL
Qysh në orën 11.00 nuk gjen më vende në sallën e lojërave Nova Gaming Center, kurse salla e internetit, e ndarë nga ajo e lojërave, numëron 4-5 persona. Madje edhe
në desktop nuk gjendet asnjë dokument Word apo Excel. Edhe kur kërkon Word-in të del përpara vetëm Warcraft-i.
Seit Mancaku, profesor në Institutin e Gjuhësisë, i quan ekonomi gjuhësore format gjuhësore që kanë hyrë në modë këto kohë dhe mendon se burimi i tyre është te jeta e shpejtë që bëjnë njerëzit në ditët e sotme. Në këtë periudhë njerëzit duan të fitojnë më shumë kohë edhe duke folur në këtë mënyrë. Janë më të shkujdesur, nuk e vrasin mendjen, vetëm që të kursejnë mundin dhe kohën, arsyeton mbi faktet e servirura profesori dhe thekson se këto shkurtime nuk merren vesh nga një numër i madh njerëzish, bëhen pa një marrëveshje, pa një studim. Po ku e ka burimin gjithë kjo adrenalinë, gjithë kjo dëshirë për të braktisur gjithçka dhe për ti kushtuar kohën dhe energjitë një loje si Warcraft, Call of duty, League of legends, lojrat më të pëlqyera, sipas të dhënave që japin punonjësit e Novës.
Igli Karasani dhe R.R janë dy personazhe krejt të ndryshëm nga njeri-tjetri. Ai është 20 vjeç, jeton afër ish-Bllokut, ajo vetëm 8 dhe jeton në rrugën Milto Sotir Gurra në Unazën e Re. Të dy i kalojnë 2 orët e përdorimit të internetit në ditë. Iglin e gjetëm duke luajtur, i vetmi që e shkëputi për pak kohë vëmendjen për tiu përgjigjur pyetjeve, të tjerët nuk arrinin as të kthenin kokën. Studion në Universitetin Bujqësor të Tiranës për Agromjedis, viti i parë. Kohën në internet e ndaj në dy pjesë, facebook dhe lojëra. Pjesës së parë i kushtoj më shumë kohë, ama edhe lojërat, janë një argëtim që tërheqin gjithë moshën time. Koha me lojërat shkon edhe dy orë, po u ule aty brenda do rrish se sbën kaq kohë sepse të rrëmbejnë sidomos garat me makina, apo lojërat me luftë si Call of Duty, Counter-Strike ose Blur. Aksioni dhe garat me makina janë bërë për tu luajtur nga çunat. Kur luajmë shumë shokë bashkë, ideja që do vrasësh dikë është e bukur, tërheqëse, tregon Igli i cili luan pasditeve, pasi ka mbaruar shkollën, në atë pjesë të ditës që mund të quhet bosh. Nuk ka gjë tjetër nga e cila heq dorë kur merret me lojëra, sepse koha e lirë për të rinjtë si Igli, është shumë shumë kot. Qarkullon mes kafes dhe internetit.
Ai nuk i pëlqen librat, teatrin po ashtu sepse nuk i ka lënë shije të mirë dhe sa herë ka shkuar, e ka gjetur sallën bosh. Kinemanë e frekuenton një herë në muaj, sërish për të ndjekur filma aksion, me më tepër emocion në ekranin e madh. Igli ka qenë njëherë edhe në një skenë teatri të vërtetë, dy vite më parë në rolin e Romeos, te Romeo dhe Zhuljeta. I pëlqen jeta që bën ka kohë për të gjitha, i bën të gjitha dhe pse jo i teprojnë 1-2 orë për internetin. Tani për të kjo mënyrë jetese është e duhura, duke llogaritur edhe që çdo shpenzim kalon në llogari të prindërve. Familja e përballon pa problem 1000 lekëshin në ditë, që ai shpenzon në kafe dhe internet.
R.R është vetëm 8 vjeçe. Kalon çdo ditë 3-4 orë në internet, me lojëra, facebook dhe nga ky rrjet ka arritur të krijojë një shoqëri virtuale me 105 miq të moshave të ndryshme. Pëlqen të luajë lojëra për vajza si Friv, Pog.com, që ngacmojnë imagjinatën e vogëlushes kur i vesh dhe i kreh me duart e saj modelet e internetit. Tërheqëse është edhe përgatitja e gatimeve. Për fëmijët e para viteve 90, kësilloj lojërash bëheshin me kukullat prej druri dhe në shtëpitë e ndërtuara me inertet që zinin vend para pallateve. Kohërat kanë ndryshuar!
Po ka edhe lojëra ku mund të zbulosh se sa të duan të tjerët. Privacy heart është njëra prej tyre, ku 8-vjeçarja klikon dhe mëson se sa përqind e do një person atë dhe shoqet e saj. Emrat nuk thuhen!
I pëlqen edhe të dëgjojë këngët e Noizy-t, të shohë në salla interneti pjesë nga telenovela meksikane Rebele (Rebelde), që rrëfen për jetën e një grupi adoleshentesh të famshme dhe të pasura. R. ndjek edhe telenovela për pasionin, po ashtu prodhime meksikane, siç është ajo Triumfi i dashurisë (El triunfo del amor)
Përveç librave të klasës së tretë, vajza lexon edhe jashtëshkollorët: Hirushja, Makina blu, Ora e violinës, 12 yjet. Pjesa tjetër e ditës i lihet shëtitjeve me prindërit nëpër qendra tregtare, vajtjeve në plazh dhe pishina, apo në parqe. Çfarë pëlqen tjetër? Të lundroj dhe të shkoj në cirk. Më pëlqejnë akrobacirat, por nuk merrem me to sepse më kanë thënë që mbetesh e shkurtër. Këto janë gjërat që bëj, pse çfarë do bëj tjetër? Të fluturoj?, thotë R.R dhe largohet me të shpejtë drejt shokëve. Këtë jetë bëjnë edhe një grup fëmijësh të tjerë që jetojnë në lagjet e reja të Tiranës, edhe Marsilda, Kejsi, Ergiusi, Artea që nuk i kalojnë të 11 vjetët. Prindërit nuk kanë edhe aq kohë për të ti kontrolluar në aktivitetet e kohës së lirë. Vetëm kur i shohin tek përdorin rregullisht facebook-un, heqin kompjuterin nga priza dhe largohen. Kurse fëmijët zgjedhin lojën derisa të mbeten vetëm, ose vazhdojnë argëtimin për pak kohë në intenet kafe. Kostoja e një ore aty është vetëm 70 lekë, një shumë që është brenda kufirit të shpenzimeve të tyre, që shpesh kap 200 lekëshin.
Është e qartë se orët e vetmisë, mungesa e vëmendjes së prindërve dhe e krijimit të një edukate dhe disipline edhe gjatë orëve të lira, mungesa e hapësirave të tjera të argëtimit, i shtyn drejt sallave të internetit, drejt lodhjes dhe mpirjes së trurit.
Elior Bilalaj, optik optometrist:
Problemi është shoqëror, nuk qendron vetëm te shikimi
Nuk është hiç normale që një fëmijë apo i ri të rrijë për një kohë të gjatë në internet. Kjo varet sidomos nga prindërit. Një 10 vjeçar nuk mund të lihet në internet për orë të tëra sepse ka probleme të tjera përveç atyre me syrin, që kanë lidhje me psikologjinë. Kur kanë kaluar disa stade rritjeje, moshën 13-15 vjeç, atëherë mund të rrinë në kompjuter, por me masë. Për mendimin t
