Kushtetuesja rrëzon ligjin për ndryshimin e kombësisë
Gjykata Kushtetuese shfuqizoi me gjashtë vota pro dhe vetëm dy kundër katër nenet e ligjit për Gjendjen Civile për përcaktimin e elementit të Kombësisë dhe mënyrës së ndryshimit të saj. Në mbledhjen e djeshme, vetëm dy prej gjyqtarëve janë shprehur kundër shfuqizimit të katër neneve ndërkohë gjyqtari i nëntë nuk ka marrë pjesë për arsye shëndetësore dhe për pasojë nuk ka pasur të drejtën e vendimmarrjes. Sipas ligjit, gjyqtari i cili ka munguar ditën e gjykimit, nuk ka të drejtën që të vendosë për atë çështje.
Në 26 prill në Gjykatën Kushtetuese tre gjykatat paraqitën padinë në të cilën kërkonin shfuqizimin e katër neneve, të cilat, sipas tyre, cenonin rëndë parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Anëtarët ende nuk kanë bërë arsyetimin e vendimit, por ata kanë pranuar se ligji tashmë është shfuqizuar. Të pyetur për kohën se kur do të zbardhet vendimi i arsyetuar, burimet zyrtare të Gjykatës Kushtetuese u shprehën: Do të publikojmë vendimin e arsyetuar, brenda një afati kohor të nevojshëm për të kryer të gjitha veprimet procedurale.
Por kjo do të thotë që asnjë gjykatë në vend nuk do të mund të bëjë ndryshime kombësie në bazë të ligjit për gjendjen Civile. Momentalisht të gjitha gjyqet për këtë gjë janë të pezulluara dhhe tashmë kërkesat do të rrëzohen.
Tre gjykatat kërkuan shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën konkretisht me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit kombësia të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 Për gjendjen civile, të termit kombësinë, në përputhje me kombësinë e prindërve, të përcaktuar në nenin 42/2 germa e të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 Për gjendjen civile, si dhe të nenit 58 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 Për gjendjen civile.
Vendimi i djeshëm është bazuar në faktin që ligji në fjalë shkel parimin e barazisë kushtetuese si dhe mund të cilësohet si një formë diskriminimi. Vetë Kushtetuta i ka garantuar shtetasve shqiptarë të drejtën të shprehin lirisht, pa u ndaluar, as detyruar përkatësinë e tyre etnike, kulturore, fetare e gjuhësore, ndërsa ligji në fjalë krijon diskriminim për shkak të etnisë. Kjo gjë është e ndaluar nga kushtetuta pasi sipas nenit 20/2 dhe 24 të, qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre fetare, në të njëjtën mënyrë ata nuk mund të detyrohen të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike, kulturore dhe gjuhësore dhe çdo ligj që merr përsipër të vendosë një detyrim të tillë është antikushtetues dhe duhet të deklarohet si i tillë.
Qeveria mbrojti ligjin ne Gjykatën Kushtetuese
Qeveria e mbrojti me forcë ligjin për Gjendjen Civile më konkretisht nenet që përcaktojnë detyrimin e qytetarëve për të deklaruar kombësinë dhe mënyrën e ndryshimit të kombësisë. Sipas përfaqësueses së qeverisë Marsida Xhaferllari, e cila mbrojti çështjen në Gjykatën Kushtetuese, kombësia duhet të mbetet pjesë e Gjendjes Civile. Ajo shprehu shqetësimin përpara anëtarëve të gjykatës se nëse hiqet termi kombësi, çështja është se sa do të ndikojë kjo më pas në ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Kombësia është përbërës i gjendjes civile. Duke dhënë procedurën e regjistrimit të kombësisë dhe veçoritë e këtij elementi, pak a shumë të barabartë me elementë të tjerë të gjendjes civile, opinioni ynë është të vendosim një ekuilibër të përshtatshëm. Nga viti 2003 në 2011-ën, pas tetë viteve bëhet kërkesë për kontrollin e antikushtetutshmërisë. Ky ligj ka tetë vite që lexohet nga këto tre gjykata, që kombësia është përbërëse e gjendjes civile, – theksoi Xhaferllari.
Ligjet e 2003 dhe 2009 lejuan ndryshimin e kombësisë
Dritarja juridike që ka mundësuar ndryshimin e kombësisë me vendim gjykate është krijuar në ligjin e Gjendjes Civile të ndryshuar në vitin 2003 nga Parlamenti. Gjatë një seance për të cilën ka shumë pak të dhëna, kuvendi ka miratuar ndryshimet në ligj. Më pas, ligji i ri i vitit 2009 ka ndihmuar në krimin e një terreni të favorshëm për ndryshimin e kombësisë me vendim gjykate. Këto dritare juridike janë shfrytëzuar nga një numër jo i vogël shtetasish shqiptarë, të cilët kanë dashur të ndryshojnë kombësinë, kryesisht duke zgjedhur atë greke, pasi në këtë mënyrë siguronin një lëvizje të lirë në vendet e BE-së dhe së dyti, për shkak të interesave financiare në përfitimin e një pensioni mbi 300 euro në muaj nga shteti grek. Një tjetër grup që ka ndryshuar kombësinë, por edhe emrin në gjendjen civile janë emigrantët. Shumë shqiptarë përdorën për vite të tëra, kryesisht në Greqi, emra të ndryshuar dhe më pas kërkuan me gjyq ndryshimin e të dhënave për të bërë bashkimin e dokumenteve.
Kjo formë e ndryshimit të kombësisë me vendim gjykate nuk është një praktikë e njohur në legjislacionin e vendeve të BE-së. Ndikimi i parë i saj do të jetë në procesin e regjistrimit të popullsisë, i cili pritet që të nisë këto ditë. Edhe nëse ndërmerret një nismë për anulimin e këtyre vendimeve, nga ana juridike do të jetë një proces tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur.
Gjatë dy viteve të fundit ka pasur një numër të madh ndryshimesh kombësie në gjykatë, por shifrat zyrtare mungojnë për këtë fakt. Por tregues është fakti që vetëm në gjykatat e Gjirokastrës dhe të Korçës ka pasur mbi 2200 pranime kërkesash, pra 2200 qytetarë që kanë ndryshuar kombësinë. Në këtë statistikë nuk përfshihen kërkesat, të cilat janë refuzuar apo pushuar, do të thotë që kemi një tendencë goxha të lartë.
Gjykata e Sarandës: 200 vendime për ndryshim kombësie në 10 vjet
Mbi 200 vendime për ndërrim kombësie janë marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë gjatë 10 viteve të fundit. Kancelar i kësaj gjykate, Xhevahir Guga, pohon se shumica e vendimeve të dhëna kanë qenë për shtetas shqiptarë që kanë kërkuar kombësinë greke. Ndërrimi i kombësisë ndodh në ato raste kur fëmija në moshë madhore, me një prind me kombësi të ndryshme, kërkon të marrë kombësinë e tij, ndërsa nuk ndodh të bëhet ndryshim kombësie, nga shqiptare në greke, në rastet kur të dy prindërit janë me kombësi shqiptare, sipas ligjit të Gjendjes Civile të vitit 2002, – deklaroi kohë më parë Guga. Ai bëri të ditur gjithashtu se që prej vitit 2003 janë regjistruar edhe 17 raste kur shtetas rumunë kanë kërkuar të marrin kombësinë shqiptare.
Gjirokastër, 1600 vendimeve gjyqësore për ndryshime kombësie
Në rrethin e Përmetit, ashtu si dhe në rrethet e tjera të rajonit jugor në Gjirokastër, Sarandë dhe Delvinë ka pasur një fluks të ndryshimeve të kombësisë fillimisht në rrugë administrative dhe më vonë në rrugë gjyqësore, shumë shtetas shqiptarë kanë ndryshuar kombësinë nga shqiptare në greke. Sipas shifrave të bëra publike nga nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë janë më shumë se 1600 vendimeve gjyqësore për ndryshime kombësie vetëm në Gjykatën e Gjirokastrës, pa përfshirë këtu rastet e ndryshimit të kombësisë të bëra në rrugë administrative nga zyrat e shërbimit të gjendjes civile para daljes së ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 Për Gjendjen Civile.
Gjykata e Rrethit të Përmetit, 469 vendime për ndryshim kombësie
Në Përmet 469 shtetas kanë ndryshuar kombësinë.. Për gjyqtarët e Përmetit ajo që është e paqartë dhe që kërkon interpretim të Kushtetueses në ligjin Për gjendjen civile janë nenet ku përdoret termi kombësi. Me anë të një kërkese zyrtare, gjyqtarët e Përmetit i drejtohen gjykatës që ka legjitimitetin e shprehjes për raste të kësaj natyre, që të shpallë si të papajtueshëm me nenet 19 dhe 20 të Kus
