E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Alpet shqiptare, një thesar natyror që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë

TIRANË, 29 gusht/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ndau në platformën “X” pamje nga Tamara, Lepusha dhe Vermoshi, duke vënë në fokus bukuritë e Alpeve shqiptare dhe potencialin e turizmit malor.

“Aty ku bujaria e natyrës nuk njeh kufij, ku bukuria është pasuri, ku mikpritja është ligj dhe tradita është identitet”, shkroi Hoxha, duke e përshkruar këtë zonë si një tjetër fytyrë të Shqipërisë, “autentike, krenare dhe plot jetë”.

Hoxha theksoi se, krahas bregdetit, i cili sipas tij ka fituar një vend të rëndësishëm në hartën turistike të Mesdheut, Shqipëria ka edhe pasuri të jashtëzakonshme në zonat malore, të cilat po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota.

“Turizmi malor është më shumë sesa një mundësi për të zbuluar peizazhe mahnitëse. Ai është një investim në ekonominë lokale, në komunitetet që jetojnë e punojnë në këto zona dhe në një model zhvillimi të qëndrueshëm që ruan, promovon dhe kthen në mundësi vlerat tona më të çmuara natyrore e kulturore”, u shpreh ministri.

Në këtë kontekst, Hoxha vuri në dukje edhe rolin e Paketës së Maleve, e cila, sipas tij, synon të mbështesë këtë transformim dhe të kthejë potencialin e zonave malore në mundësi të reja zhvillimi.

Ministri e lidhi zhvillimin e turizmit malor edhe me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e standardeve më të larta, infrastrukturës cilësore, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Këto krijojnë më shumë mundësi për qytetarët dhe i japin turizmit shqiptar një perspektivë gjithnjë e më evropiane dhe konkurruese”, shkroi Hoxha.

“Në zemër të Alpeve magjepsëse e hijerënda, Shqipëria sheh veten në pasqyrë: e bukur, krenare, mikpritëse dhe plot mundësi. Një vend ku natyra dhe tradita takojnë të ardhmen”, përfundoi ai.

/e.xh/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›