E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha: Do të bëjmë të pamundurën për shqiptarët që duan të kthehen nga kampet e Sirisë

TIRANË, 10 prill/ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha deklaroi sot se “do bëjmë çfarë kemi në dorë për t’i sjellë shtetasit shqiptarë që duan të kthehen nga kampet e Sirisë”.

Në konferencën për shtyp, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve lidhur me mundësinë e evakuimit të 27 shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet e Sirisë, Hoxha u deklarua i rezervuar pasi, sipas tij, “informacionet që kam janë të kufizuara dhe sekretuara dhe nuk mund t’i ndaj”.

“Numri i shtetasve shqiptarë në Siri mund të jetë 27 siç thoni ju, ose pak më shumë, janë kategori që kanë qenë në kampe dhe në burgje”, informoi ai.

“Ne do bëjmë çfarë është mundur për përgjegjësinë institucionale siç e keni parasysh dhe si ka ndodhur në raste të mëparshme janë operacione komplekse dhe i kemi bërë me partnerë të tjerë sepse janë operacione që duhet të kenë mbështetje në vend, interlokutorë të besuar, një logjistikë të caktuar që kalon një numër vendesh”, nënvizoi Hoxha.

Ministri Hoxha bëri të ditur se “e kemi bërë edhe më përpara evakuimin e shtetasve shqiptarë nga Siria dhe s’ka asnjë arsye për të mos e bërë”.

Duke iu drejtuar gazetarëve Hoxha tha se “të jeni të sigurt do të bëjmë çfarëdolloj gjëje në kohë për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, edhe në këtë aspekt specifik të atyre që lanë Shqipërinë për marrëzinë e kohës”.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›