Hoxha: Mbi 17 mijë tekste për fëmijët në diasporë, shqipja në themel të trashëgimisë sonë

TIRANË, 31 gusht /ATSH/ Përpara nisjes në një aktivitet ndërkombëtar, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ndau një informacion për librat për vitin shkollor 2026–2027 në Diasporë.
Sipas ministrit, për vitin e ri mësimor janë parashikuar mbi 5700 paketa mësimore, ose rreth 17 mijë tekste, për 15 shtete në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada.
Bëhet fjalë për tekstet e përbashkëta “Gjuha shqipe” dhe “kultura shqiptare” për nivelet e parë, të dytë dhe të tretë.
Në bashkëpunim me Qendrën e Botimeve për Diasporën, si dhe Ministrinë e Arsimit, do të bëjmë çmos të plotësojmë 100 për qind të kërkesave.
E veçanta e këtij viti shkollor është përfshirja e nivelit të tretë, çka përbën një hap të rëndësishëm në konsolidimin e ciklit të plotë të teksteve të përbashkëta për Diasporën.
Përfaqësitë diplomatike janë duke përditësuar të dhënat për numrin real të nxënësve, nivelet që ndjekin, mësuesit dhe adresat e shpërndarjes.
Për të gjithë të interesuarit, prindër e mësues në Diasporë, ministri ftoi të ndjekin udhëzimet dhe njoftimet e përfaqësive tona diplomatike, ambasadave në secilin vend, për të qenë të informuar në kohë reale.
/m.q/a.f/r.e/