Hoxha: Përpjekja për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë po merr përgjigjen e duhur

TIRANË, 6 shtator /ATSH/ Në prangat e Policisë së Shtetit ka rënë sot i shumëkërkuari Marklen Haka alias Aliu, i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe i përfshirë në disa ngjarje të rënda, pas një operacioni profesional të Forcave Speciale RENEA, mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Policia e Tiranës.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha në një postim në rrjetet sociale përgëzoi efektivët, teksa theksoi se përpjekja për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese
“Një ndër personazhet më kryesore të botës së krimit u kap në Nikël të Krujës, me armë zjarri, e bashkë me të po shoqërohen edhe disa persona të tjerë. Përpjekja për t’iu shmangur përballjes me drejtësinë po merr e do të marrë çdo ditë e më shumë përgjigjen e duhur nga uniformat blu dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese. Ky është momenti për të përgëzuar dhe shprehur respekt, për forcat e angazhuara në operacionin me shkallë të lartë rrezikshmërie”, u shpreh ai.
Falë inteligjencës policore, shërbimet e DVP Tiranë në bashkëpunim me Repartin Special RENEA, organizuan operacionin për kapjen dhe arrestimin e personit me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie dhe rrezikshmërie, dhe ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot rreth orës 14:00.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu.
Gjatë operacionit janë shoqëruar dhe persona të tjerë të cilët po verifikohen nga strukturat e Policisë.
Në objektin ku është lokalizuar shtetasi Marklen Haka alias Marklen Aliu, është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
/r.e/