FRANKFURT – Zelensky do të takohet me Scholz për bisedime kokë më kokë

BERLIN, 6 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet sot me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Frankfurt, mes raporteve se lideri ukrainas do të jetë në rajon për të marrë pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës – të udhëhequr nga SHBA-ja.
“Scholz dhe Zelensky kanë planifikuar bisedime kokë më kokë në qendrën financiare të Gjermanisë sot pasdite”, konfirmoi një zëdhënës i qeverisë dje në mbrëmje.
Zelensky ka të ngjarë të mbërrijë në Frankfurt pas pjesëmarrjes në takimin e Grupit të Kontaktit të Ukrainës – në bazën e afërt amerikane në Ramstein për bisedime mbi mbështetjen e mëtejshme perëndimore për Kievin – në luftën e tij kundër Rusisë.
Revista gjermane “Spiegel” raportoi se Zelensky synon të bëjë thirrje për dërgesa të reja të armëve, duke përfshirë raketa me rreze të gjatë dhe sisteme kundërajrore, në takimin e Grupit të Kontaktit të Ukrainës, një aleancë jozyrtare e rreth 50 vendeve që mbështesin Ukrainën.
Takimi, i thirrur nga sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin, do të zhvillohet në bazën ajrore Ramstein në Gjermaninë perëndimore, rreth 100 kilometra në jugperëndim të Frankfurtit.
Ky do të jetë takimi i 24-të i grupit, i cili u formua menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. //a.i/