Hoxha në Forumin e Dubrovnikut: Shqipëria synon mbylljen e negociatave me BE-në brenda vitit 2027

TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 26–27 qershor në Forumin e Dubrovnikut në Kroaci, një platformë e rëndësishme ndërkombëtare për dialogun mbi të ardhmen e Evropës dhe sfidat globale.
Në panelin “Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor: Zgjidhja së bashku e çështjeve të pambyllura”, të zhvilluar në kuadër të forumit, Hoxha theksoi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian mbetet shtysa më e fortë për transformimin demokratik, rritjen e besimit dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Ministri nënvizoi se ambicia e Shqipërisë është e qartë dhe se vendi synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit, duke mbyllur të gjithë kapitujt negociues deri në fund të vitit 2027.
“Për Shqipërinë ekziston vetëm një drejtim që garanton të ardhmen tonë: anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Përmbushja e reformave dhe ruajtja e besueshmërisë së procesit të anëtarësimit duhet të ecin paralelisht”, u shpreh Hoxha.
Ai vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, duke theksuar se avancimi i interesave të përbashkëta përmes bashkëpunimit praktik forcon qëndrueshmërinë, mirëqenien dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Ministri theksoi nevojën për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe dialogu konstruktiv janë elemente të domosdoshme për stabilitetin afatgjatë dhe integrimin e suksesshëm në Bashkimin Evropian.
Në këtë kuadër, Hoxha u shpreh se mbështetja për Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike përbën jo vetëm një akt solidariteti ndaj shtetit më të ri të Evropës, por edhe një investim për të ardhmen e përbashkët evropiane.
“Një Kosovë e qëndrueshme, demokratike dhe e begatë kontribuon në një Evropë më të fortë dhe më të sigurt”, tha ai.
Në fjalën e tij, ministri Hoxha ritheksoi gjithashtu se marrëdhëniet transatlantike mbeten një gur themeli i sigurisë evropiane.
“Për Shqipërinë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe partneriteti transatlantik janë dy anë të së njëjtës medalje, shtylla që forcojnë paqen, sigurinë dhe të ardhmen tonë”, përfundoi ministri.
/gj.m/j.p/