E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhani për ATSH: 80% e vijës bregdetare në Lezhë plazh publik, rritje me 15% e numrit të turistëve

TIRANË, 28 qershor/ATSH-Maela Marini/ Lezha po konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend dhe këtë e dëshmojnë edhe shifrat në rritje të turistëve vendas dhe të huaj.

Deri tani janë regjistruar rreth 295 mijë vizitorë, ndërkohë që strukturat hoteliere flasin për rritje të rezervimeve gjatë muajve korrik dhe gusht.

Bashkia Lezhë ka ndërmarrë një sërë masash dhe investimesh për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror, me synimin për të garantuar një sezon të mirorganizuar, të sigurt dhe sa më tërheqës për vizitorët vendas e të huaj.

Drejtori i Turizmit në bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani, në një intervistë për ATSH-në u shpreh se puna është përqendruar në disa zona prioritare, duke përfshirë qytetin e Lezhës, Shëngjinin, bregdetin e Tales, lagunën e Kune-Vainit, si dhe pasuritë kulturore dhe natyrore në të gjithë territorin e bashkisë.

Mbi 295 mijë vizitorë vizituan Lezhën, rritje me 15% krahasuar me vitin e kaluar

Sipas Xhanit, sezoni turistik ka nisur më herët se vitet e kaluara, pasi prania e turistëve është konstatuar që në muajin maj, kur një pjesë e konsiderueshme e strukturave akomoduese kishin hapur dyert për vizitorët.

“Ky është një tregues i qartë i zgjatjes së sezonit turistik në plazhet e Lezhës. Aktualisht, territori ynë ofron shërbime akomodimi cilësore, me një kapacitet prej rreth 25 mijë shtretërish, duke iu përgjigjur kërkesës në rritje të turistëve”, tha ai.

Sipas të dhënave të bashkisë Lezhë, deri tani janë regjistruar rreth 295 mijë vizitorë. Në këtë shifër përfshihen edhe mijëra pjesëmarrësit e festivalit ndërkombëtar “UNUM”, si dhe fluksi i lartë i turistëve që frekuentojnë zonën gjatë fundjavave.

Bashkia konfirmon se statistikat dëshmojnë rritje me 15% krahasuar me vitin e kaluar, ku përveç vizitorëve vendas dhe shqiptarëve nga Kosova, këtë vit vihet re një prani më e madhe se më parë e turistëve nga shumë vende të Europës. Turistët e huaj që kanë vizituar bregdetin e Shëngjinit gjatë kësaj periudhe përbëjnë rreth 20% të totalit të tyre. Mes tyre kryesojnë turistët nga Gjermania me 20%, Polonia (15%), Italia (10%), Republika Çeke (10%), por ndërkohë në rritje është edhe numri i turistëve nga Austria, Zvicra, Rumania, Ukraina, Bullgaria, Maqedonia e Veriut dhe Suedia.

“Shifrat dëshmojnë se Lezha po konsolidohet si një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në vend. Interesi për zonën është në rritje të vazhdueshme dhe kjo reflektohet në numrin e vizitorëve, por edhe në aktivitetin ekonomik të bizneseve lokale”, u shpreh Xhani.

Rreth 80% e vijës bregdetare, plazhe publike

Një nga risitë e këtij sezoni është zgjerimi i sipërfaqeve të plazheve publike, veçanërisht në zonat e Ranës së Hedhun dhe Tales.

Bashkia ka vënë në dispozicion të qytetarëve dhe turistëve rreth 80% të vijës bregdetare si plazh publik, nga të cilat 66% janë plotësisht të aksesueshme falas për pushuesit që përdorin çadrat e tyre.

Ndërsa 14% e këtyre hapësirave administrohen nga ndërmarrja publike “Lezha Invest”, e cila ofron shërbime dhe infrastrukturë me çmime të përballueshme. Aktualisht çmimi i çadrave në plazhet e administruara nga bashkia shkon nga 400-500 lekë.

Xhani theksoi se për të përmirësuar orientimin e turistëve, në zonat bregdetare janë vendosur tabela informuese me barkode QR, të cilat lehtësojnë identifikimin e plazheve publike dhe të shërbimeve përkatëse.

Në kuadër të administrimit të plazheve, procedurat për stacionet e plazhit janë drejt përfundimit dhe deri tani janë dhënë 50 konfirmime nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit. Ndërkohë, bashkia ka blerë një makineri për pastrimin dhe sitjen e rërës, me qëllim përmirësimin e kushteve në plazhe.

Kalendar i larmishëm aktivitetesh për promovimin e kulturës dhe turizmit

Bashkia Lezhë ka planifikuar një kalendar të pasur aktivitetesh që ndërthur turizmin, kulturën, sportin dhe angazhimin rinor, me synimin për të gjallëruar jetën publike dhe për të promovuar vlerat historike, kulturore e natyrore të territorit.

Programi përfshin aktivitete tradicionale dhe iniciativa të reja, të cilat do të zhvillohen përgjatë gjithë vitit në qytetin e Lezhës, Shëngjin dhe njësitë administrative, duke krijuar një ofertë të larmishme për qytetarët dhe vizitorët.

Gjatë sezonit veror, fokusi do të jetë te promovimi i turizmit përmes hapjes së sezonit turistik, panaireve, itinerareve turistike dhe organizimeve kulturore e artistike, të shoqëruara me koncerte, panaire libri, mbrëmje muzikore dhe aktivitete folklorike.

Në 24–25 korrik, Shëngjini do të mirëpresë një nga eventet më të mëdha muzikore të verës “Vala Fest”. Gjatë dy netëve, publiku do të shijojë performanca spektakolare nga artistë shumë të njohur shqiptarë, në një atmosferë unike buzë detit.

Një ndër momentet kulmore të sezonit do të jetë edhe organizimi i “Ditës së Shtegtarëve”, një aktivitet tradicional që bashkon qytetarët, turistët dhe emigrantët përmes programeve artistike e kulturore.

Ky organizim, së bashku me aktivitetet e tjera verore, synon të forcojë lidhjen me trashëgiminë kulturore të Lezhës, të gjallërojë jetën sociale si dhe të rrisë atraktivitetin e qytetit si një destinacion i rëndësishëm turistik gjatë muajve të verës.

Paralelisht, do të zhvillohen aktivitete sportive si Dita Olimpike, garat me kajak, turnetë e volejbollit në plazh dhe ndeshjet tradicionale të futbollit, duke ofruar një program të pasur argëtues dhe rekreativ për të gjitha grupmoshat.

Krahas aktiviteteve verore, kalendari vjetor përfshin edhe veprimtari përkujtimore, edukative dhe artistike kushtuar figurave dhe ngjarjeve të rëndësishme të historisë kombëtare, festivale folklorike, ekspozita, aktivitete për fëmijë e të rinj, si dhe iniciativa që promovojnë trashëgiminë kulturore, leximin, sportin dhe pjesëmarrjen qytetare.

Përmes këtij programi të integruar, bashkia Lezhë synon të forcojë identitetin lokal, të mbështesë jetën kulturore e sportive dhe të rrisë atraktivitetin e territorit si një destinacion turistik dhe kulturor gjatë gjithë vitit.

Siguria dhe menaxhimi i trafikut, prioritet gjatë sezonit veror

Masat për sigurinë e pushuesve përfshijnë monitorimin e rojave të plazhit, vendosjen e sinjalistikës dhe bovave, përcaktimin e korridoreve të lundrimit dhe monitorimin e vazhdueshëm të hapësirave publike përmes kontrolleve në terren dhe përdorimit të dronëve.

Bashkia ka planifikuar gjithashtu një sërë masash për menaxhimin e trafikut dhe rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror. Në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Policinë Kufitare do të forcohen kontrollet në zonat me fluks të lartë turistësh, do të monitorohen parkimet dhe do të lirohen hapësirat publike të zëna në segmentin Lapidar–Port në Shëngjin.

Gjithashtu, Xhani theksoi se është planifikuar kufizimi i qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë sezonit veror, ndërsa shëtitorja e Shëngjinit do të jetë e dedikuar për këmbësorët nga ora 19:00 deri në 24:00. Kamerat e sigurisë vijojnë të jenë në funksion në të gjithë vijën bregdetare nga Shëngjini deri në Kune.

Sipas Drejtorit të Turizmit, të gjitha këto masa po zbatohen përmes një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet institucioneve vendore e qendrore, operatorëve turistikë, bizneseve dhe komunitetit lokal.

“Objektivi ynë është që Lezha të ofrojë një eksperiencë sa më cilësore për çdo vizitor, duke kombinuar bukuritë natyrore, trashëgiminë kulturore, sigurinë dhe shërbimet moderne. Kjo është rruga për ta kthyer turizmin në një motor të qëndrueshëm zhvillimi për ekonominë lokale”, tha Xhani.

Prioritet, promovimi ndërkombëtar dhe mbrojtja e mjedisit

Në aspektin e promovimit, bashkia Lezhë ka hartuar një plan të posaçëm veprimi, duke përditësuar hartat turistike, materialet promocionale dhe prezencën në platformat digjitale.

Gjithashtu, Xhani informoi se Lezha u prezantua në panairin ndërkombëtar të turizmit në Wrocław të Polonisë, ku fitoi çmimin e parë për prezantimin më të mirë dhe stendën më të frekuentuar nga vizitorët.

Ndër aktivitetet që kanë kontribuar në promovimin e zonës ai përmendi edhe Festivalin e Fotografisë, certifikimi i 10 udhërrëfyesve turistikë në bashkëpunim me shoqatën “Poseidon”, si dhe organizimi i festivalit “UNUM”, i cili solli mijëra vizitorë gjatë pesë ditëve të zhvillimit të tij.

“UNUM ka qenë një histori suksesi jo vetëm për Shëngjinin dhe Lezhën, por edhe për bizneset lokale dhe imazhin e Shqipërisë turistike, duke tërhequr vizitorë nga vende të ndryshme të botës”, theksoi Xhani.

Paralelisht me promovimin, vëmendje e veçantë i është kushtuar menaxhimit të mjedisit dhe pastërtisë.

Bashkia ka ngritur një grup të posaçëm monitorimi për vijën bregdetare, ka angazhuar rreth 30 punonjës sezonal shtesë për pastrimin e plazheve dhe ka nisur zbatimin e planit të ri të menaxhimit të mbetjeve.

Po ashtu, janë zhvilluar fushata sensibilizuese për depozitimin korrekt të mbetjeve dhe respektimin e orareve të përcaktuara, ndërsa është krijuar edhe ndërmarrja e pastrimit për mirëmbajtjen e higjienës në qytet dhe zonat turistike.

1 nga 7

/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›