E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha pret Arbër Gashin: Rrënjët tona të gjalla kudo ku jetojnë shqiptarë

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Tiranë me deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha e cilësoi Gashin si një histori suksesi dhe një figurë që përfaqëson me dinjitet shqiptarët në diasporë.

Hoxha theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, pavarësisht vendit ku jetojnë shqiptarët.

“Kënaqësi të takoja sot, në Tiranë, deputetin në Parlamentin e Suedisë, Arbër Gashi, në kuadër të Samitit të IV-të të Diasporës.  Arbëri, bir i Drenicës, është një histori suksesi dhe një shembull krenarie.

“Është dëshmi e qartë se rrënjët tona mbeten të gjalla kudo që jetojnë shqiptarët. Rrugëtimi dhe arritjet e tij tregojnë se identiteti ynë nuk humbet, përkundrazi, ai forcohet dhe pasurohet”, shkruan ai.

Ministri gjithashtu vuri në dukje rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve dhe promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

“Shembuj të tillë të diasporës, jo vetëm të mirëintegruar por edhe të fuqizuar e aktorë në vijën e parë, janë frymëzim konkret për të gjithë ne: për të forcuar lidhjet tona, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për ta çuar përpara emrin e Shqipërisë e shqiptarisë në botë, me dinjitet dhe besim”, nënvizoi Hoxha.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›