Hoxha pret Të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë: Mundësi të reja për zgjerim të bashkëpunimit

TIRANË, 26 gusht /ATSH/ Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha priti sot në takim Të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën bisedoi rreth marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje miqësinë e fortë mes dy vendeve, bashkëpunimin dhe partneritetin e fortë strategjik.
Ministri Hoxha falënderoi përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA për mbështetjen e pakursyer ndaj agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, veçanërisht programin ICITAP, me fokus asistencën për Policinë e Shtetit.
Në lidhje me takimin, ministri u shpreh se, “ishte kënaqësi takimi sot me të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën konfirmuam jo vetëm miqësinë mes dy vendeve, por ritheksuam partneritetin e fortë strategjik”.
Duke falënderuar përfaqësuesen e SHBA për mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, ministri Hoxha, “e njohu znj. VanHorn me disa prej prioriteteve në detyrën si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar gjithashtu për kontributin e çmuar që ofron programi ICITAP për Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë”.
Në takim është diskutuar edhe për tema të tjera me interes për qytetarët e të dy vendeve.
“Folëm në këtë takim të parë, mbi mundësitë e reja të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit për mirëqenien e qytetarëve tanë”, thotë ministri Hoxha pas takimit.
Nga krahu tjetër edhe Ambasada e SHBA në Tiranë ka ndarë detaje nga takimi mes të Ngarkuarës me Punë Nancy VanHorn dhe ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha.
“Znj. VanHorn ripohoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara në rritjen e bashkëpunimit për sigurinë rajonale dhe publike. Duke theksuar vlerën e punës së bashku për të trajtuar sfidat e përbashkëta, ata diskutuan nismat për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e zbatimin e ligjit dhe ndërtimin e kapaciteteve. Presim me kënaqësi çuarjen përpara të këtyre përparësive për një të ardhme më të sigurt dhe më të mirë për të dy kombet tona”, lexohet në postimin në rrjetet sociale të Ambasadës së SHBA në Tiranë.
/r.e/a.f/