E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxha takim me homologë të Gjeorgjisë dhe Portugalisë: Intensifikim i bashkëpunimit në disa sektorë

TIRANË, 18 prill /ATSH/ Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, i pranishëm në Forumin Diplomatik të Antalias 2026, Turqi, zhvilloi një takim me ministren e Punëve të Jashtme të Gjeorgjisë, Maka Botchorishvili.

Gjatë këtij takimi, ministri thekson se u rikonfirmua “marrëdhëniet miqësore dhe konstruktive mes vendeve tona, si edhe vullnetin e përbashkët për të thelluar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare”.

“Ndërsa marrëdhëniet dypalëshe janë pozitive, ndamë bindjen se është koha për hapa më konkretë drejt intensifikimit të bashkëpunimit, përmes vizitave të nivelit të lartë, konsultimeve të rregullta diplomatike, shkëmbimit të ekspertizës dhe forcimit të angazhimit ekonomik”, nënvizon Hoxha në një postim në rrjetet sociale.

Të dy ministrat vlerësuan gjithashtu rolin e rëndësishëm të Gjeorgjisë në rajonin ku bën pjesë, si dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.

Kryediplomati deklaron se rikonfirmoi “mbështetjen e Shqipërisë për perspektivën evropiane të Gjeorgjisë, duke theksuar rëndësinë e avancimit të reformave në përputhje me standardet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, si dhe gatishmërinë tonë për të ndarë përvojën e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian”.

Gjithashtu, ministri Hoxha u takua edhe me homologun portugez, Paulo Rangel të cilët rikonfirmuan miqësinë e fortë dhe të qëndrueshme mes Shqipërisë dhe Portugalisë, si edhe u dakordësuan mbi nevojën e intensifikimit të dialogut politik.

Hoxha dhe Rangel diskutuan mundësitë për të thelluar më tej bashkëpunimin në tregti, turizëm, arsim dhe kulturë.

Vëmendje të veçantë i kushtuam rëndësisë së ruajtjes së multilateralizmit, përmes koordinimit dhe bashkëpunimit më të ngushtë në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

“Shpreha mirënjohjen e sinqertë të Shqipërisë për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur të Portugalisë në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit në BE, ndërsa vijojmë të  avancojmë me hapa konkrete në procesin e negociatave. Pres me kënaqësi ta mirëpres në një vizitë të ardhshme në Tiranë”, u shpreh ministri Hoxha.

e.xh/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›