Protesta e opozitës, arrestohen 11 shtetas dhe procedohen 15 të tjerë për veprime të dhunshme

TIRANË, 18 prill/ATSH/ Policia e Shtetit arrestoi 11 shtetas si dhe procedoi penalisht 15 të tjerë, pasi hodhën molotovë dhe lëndë piroteknike, si dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të opozitës mbrëmjen e djeshme.
Sipas njoftimit për shtyp të Policisë, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar dje nga Partia Demokratike disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Sipas Policisë u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
1 nga 4/k.s/ /a.g/