Hoxha takon Lawton: Shqipëri-SHBA, koordinim i vazhdueshëm për prioritetet e përbashkëta

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Gjatë qëndrimit të tij në Nju-Jork (SHBA), ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u takua me zëvendësndihmëssekretarin për Evropën Perëndimore, Qendrore dhe Jugore, Daniel Lawton.
Takimi u fokusua në mundësitë për të forcuar më tej partneritetin strategjik SHBA-Shqipëri, si dhe në rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm e të ngushtë për prioritetet e përbashkëta.
Hoxha dhe Lawton u ndalën gjithashtu edhe në situatën dhe dinamikat aktuale në Ballkanin Perëndimor.
“Një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjeve Artemis, zhvillova një diskutim produktiv me zëvendësndihmës Sekretarin për Evropën Perëndimore, Qëndrore dhe Jugore, Daniel Lawton. Diskutuam mbi mundësitë për të forcuar më tej partneritetin tonë strategjik, situatën dhe dinamikat aktuale në Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e koordinimit të vazhdueshëm e të ngushtë për prioritetet e përbashkëta”, shkroi Hoxha, në rrjetin social X.
Sipas ministrit të Jashtëm, partneriteti mes dy vendeve mbetet shtyllë e rëndësishme edhe e angazhimit të përbashkët si aleatë në NATO.
“Një partneritet i fortë Shqipëri-SHBA mbetet një shtyllë e rëndësishme e angazhimit tonë, përfshirë edhe si aleatë të NATO-s, për një rajon më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe më të begatë”, shkroi ministri Hoxha.
/gj.m/j.p/r.e/