Hoxhaj: Serbia ka kërkuar devijim të planit të zbatimit

Pala kosovare ka pranuar se në takimet e fundit në Bruksel Serbia ka kërkuar të ketë devijim nga plani bazë i Marrëveshjes së 19 prillit. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pala serbe ka tentuar që me arritjen e planit të zbatimit të arrij një marrëveshje të dytë, të ndryshme nga ajo që është arritur ndërmjet kryeministrave Thaçi e Daçiq.
Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, theksoi se delegacioni serb nuk po hap tema teknike për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes, por çështje politike që nuk kanë qenë në tavolinë të bisedimeve.
“Qëndrimi ynë ka qenë i qartë nga fillimi se dallimet që po synon Beogradi të vendos në fokus janë dallime të natyrës politike e jo teknike. Këtë shqetësim e kanë ngritur jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha shtetet anëtare të BE-së”, deklaroi Hoxhaj.
Ai nuk ka dashur të hyjë shumë në detaje se çfarë ka tentuar Serbia. “Nuk kisha pasur dëshirë t’ju ngarkoj me imagjinatën e delegacionit serb. Një qasje e tillë e Serbisë për ne nuk ka qenë serioze” ka deklaruar Hoxhaj./Indeksonline/