Hoxhaj, projekte të reja për lobim

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, së bashku me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff, dhe drejtoreshën e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, kanë nënshkruar marrëveshjen e mbështetjes së projektit “Komunikimi me Evropën përmes diplomacisë”.
Ky projekt është një përpjekje e përbashkët e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike, i cili do të implementohet nga Këshilli Britanik për avancimin e procesit të njohjes së Kosovës nga vendet që ende se kanë marrë një vendim të tillë.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj ka thënë se ky projekt synon ta promovojë diplomacinë publike si instrument i fuqizimit të marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës me shtetet të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, ka thënë se Britania në mënyrë të vazhdueshme është përpjekur që të rrisë numrin e njohjeve për Kosovën dhe se kjo çështje është pikë e rëndësishme edhe për Ambasadën e saj në Prishtinë.
Cliff ka thënë se në disa prej vendeve demokratike të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, është me rëndësi që në raportet ndërmjet qeverive, të bindet edhe publiku i gjerë për rëndësinë e njohjes së Kosovës.