E Shtunë, 31 Tetor 2026

Huliganët sulmojnë Muzeun e Alfabetit në Manastir

Dëmtohet shtëpia e Alfabetit në Manastir të Maqedonisë. Në orët e para të mëngjesit të sotëm persona ende të paidentifikuar kanë dëmtuar Muzeun e alfabetit duke thyer dyer, dritare dhe vitrinat me dokumentacionin e Muzeut.

Drejtori i Muzet të Alfabetit Gazmend Hoxhaj ka bërë të ditur se “Në orën 3 e 30 të mëngjesit disa persona kanë dëmtuar derën kryesore të Muzeut e më pas kanë hyrë në ambjentet e brendshme ku janë dëmtuar 9 nga 11 vitrinat ku kanë qënë të ekspozuara dokumenta të ndryshme. Janë thyer edhe dritaret edhe dyshemeja duke shkaktuar kështu një dëm të konsiderueshëm edhe material.

Dokumentet që janë brenda nuk janë dëmtuar. Kemi formuar komision për të vlerësuar dëmet dhe kemi përfunduar punët dhe kemi arritur të vlerësojmë dëmin. Dëmi më I madh është që dikush me këtë akt ka dashur të dërgojë ndonjë porosi. Por ata kanë gabuar me këtë porosi, sepse në këtë mënyrë nuk dërgohen mesazhe. Kjo nuk i ka hije qytetarisë së tillë manastirase. Kjo është një porosi për të rrënuar bashkëjetesën, mirëpo i bëjmë me dije se ata nuk mund të na mposhtin, theksoi drejtori i këtij muzeu, Gazmen Hoxha.

Gjithashtu ai ka bërë të doitur se të paktën 4 herë të tjera ka pasur incidente me natyrë etnike, pasi në muret e Muzeut janë shkruar parulla me përmbajtje antishqiptare, por drejtori Hoxhaj thekson se incidenti i fundit përcjell një mesazh shumë të keq, pasi 24 maji shënon ditën e Shën Cirilit dhe Metodit, festë shtetërore në Maqedoni e arsimit të popujve sllavë.

Pas ngjarjes është ngritur një komision për vlerësimin e dëmit, ndërsa drejtuesit e Muzeut premtojnë kthimin në gjendjen e mëparshme, pasi dokumentat e dëmtuar janë të ruajtura në formë elektronike e mund të riprodhohen. Ndërkaq ka nisur hetimi për çështjen, por autorët ende nuk janë identifikuar apo arrestuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›