Humanizmi i mjekut në mërgim nga Lezha/ Angjelin Shtjefni i kalon pushimet duke ndihmuar bashkëfshatarët e tij

Prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Shqipërinë nuk e ka harruar kurrë.
Doktor Angjelin Shtjefni, për të pestin vit radhazi, ditët e pushimeve i ka vënë në dispozicion të banorëve në Fishtë të Zadrimës, në Lezhë, duke ofruar vizita mjekësore dhe medikamente të ndryshme falas për ta.
“Ka qenë një dëshirë e kahershme dhe fakti që u realizua është ndjesia më e mirë”, u shpreh mjeku
Problemet shëndetësore janë të ndryshme dhe komunikimi me pacientet është mjaft i rëndësishëm.
“Pacienti duhet të kuptojë gjendjen shëndetësore, si të parandalojë sëmundje të ndryshme, si t’i mjekojë nëse është i diagnostikuar dhe si të bëhet i aftë, të riaktivizohet nga ana fizike dhe mendore”, tha doktor Angjelin Shtjefni.
Të shumtë janë banorët të cilët janë bërë pjesë e vizitave dhe konsultimeve me doktor Angjelinin. Ata vlerësojnë maksimalisht kontributin e këtij mjeku për të cilin kanë shumë besim dhe shpresë.
“I vjen në ndihmë një popullsie që ka shumë nevojë dhe është një gjest shumë human i doktor Angjelinit”, u shpreh një banor.
“Do të jetë sa më pranë njerëzve dhe në këtë mënyrë vjen dhe u shërben disa ditë falas”, tha një tjetër.
Angjelin Shtjefni është diplomuar si mjek i përgjithshëm në vitin 1987 dhe fillimisht ka punuar në zonat e thella të Pukës. Më pas në vitin 1996 është larguar nga Shqipëria, duke migruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gazetare: Megi Mëhilli
/rtsh/